Parlamenti i Kosovës u përfshi të enjten nga përleshjet fizike ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike dhe përfaqësuesve të pushtetit.
Përleshjet shpërthyen derisa kryeministri Albin Kurti po fliste për situatën në veri të Kosovës dhe pajtimin që është arritur me Bashkimin Evropian për hapat e parë drejt uljes së tensioneve. Fjalimi i tij u pengua nga deputetët e opozitës duke brohoritur dhe duke e cilësuar si “gënjeshtar”.
U desh ndërhyrja e sigurimit të kryeministrit për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa kryetari i Parlamentit kërkoi edhe ndërhyrjen e policisë.
Përplasjet fizike vazhduan edhe në orët e pasdites pasi deputetë të opozitës bllokuan foltoren e parlamentit dhe penguan për disa orë mbajtjen e seancës së parlamentit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se ka nisur hetimet për përleshjet në parlamentin e Kosovës për veprën penale “sulm dhe ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast”.
Your browser doesn’t support HTML5
Deputeti i Partisë demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku që ishte përfshirë në përleshje tha se ka marr ftesë nga “Prokuroria Themelore në Prishtinë - Departamenti i Përgjithshëm, për tu deklaruar rreth ngjarjes së sotme”.
Në hapje të seancës së parlamentit deputetë të opozitës vendosën përballë ulëseve të qeverisë mbishkrime që kishin të bëjnë me kritikat ndaj pushtetit pasi për disa ditë me radhë portali Nacionale publikoi disa biseda të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësues të Listës Serbe, përfshirë nënkryetarin e kësaj partie, Milan Radojçiç, i cili është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara “përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion”.
Milan Radoiçiç kërkohet nga drejtësia në Kosovë nën dyshimet për përfshirje ne frikësimin e dëshmitarëve në një rast gjyqësor, të njohur si "Brezovica". Emri i tij ishte përfshirë edhe në një aktakuzë rreth vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç. Por, një urdhër arresti për të u tërhoq në mars të vitit 2021.
"Kur kanë qenë qeveritë e mëhershme, ky kryekriminel ka qenë në Mitrovicë, ka qenë në Prishtinë. Tash, kontributi ynë, është që është në një hotel në Kopaonik, në Serbi", tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë fjalimit në parlament i cili u ndërpre për shkak të përleshjeve.
Lëvizja Vetëvendosje në pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë, akuzuan njëra tjetrën për përleshjet e sotme.
Vetëvendosje shkroi në një komunikatë se “teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim duke treguar për betejën e Republikës së Kosovës për shtrirje të rendit e të ligjit në veri të vendit, disa deputetë të PDK-së sulmuan me grushta, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës. Ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës e cila nuk e ka asnjë ministër apo zv.ministër të kontrolluar nga Beogradi. Ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë”, thuhet mes tjerash në një reagim të lëvizjes Vetëvendosje.
Partia Demokratike e Kosovës tha se ishte zëvendëskryeministri (Besnik) Bislimi “i cili i pari e goditi me mjete të forta, shishe, deputetin Mërgim Lushtaku. Në një moment kur Kryetari i Kuvendit u desh që të reagojë dhe të mos e lejoj atë që të ndodhë, ai u bëri thirrje Policisë së Kosovës që të ndërhyjnë dhe të arrestojnë deputetët e opozitës. Futja e Policisë së Kosovës në Kuvend nuk është lejuar të ndodhë as në momentin më të errët në historinë e Kuvendit të Kosovës, kur Lëvizja Vetëvendosje hidhte gaz lotsjellës dhe rrezikonte jetën e deputetëve”, thuhet mes tjerash në një reagim të Partisë Demokratike, sipas së cilës “Kosova ka nevojë për zgjedhje të reja, nga të cilat, qytetarët me votën e tyre do të zgjedhin një qeveri kredibile e cila do ta kthej vendin në rrugën e duhur drejt integrimit euro-atlantik”.
Reagime pas përleshjeve
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se përdorimi i dhunës si mjet për të trajtuar pakënaqësitë e mospajtimet politike është “dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë. Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t'i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik”, shkroi presidentja Osmani.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dënoi përleshjet në parlament, duke theksuar se dallimet nuk mund të zgjidhen përmes dhunës.
“Është për keqardhje çfarë ndodhi sot në parlamentin e Kosovës. Do të dëshiroja të mos e thosha këtë: dhuna kurrë nuk është mjet i pranueshëm për të shprehur pakënaqësi. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por, dallimet duhen të zgjidhen përmes diskutimit– një qëllim themelor i legjislaturës së çdo demokracie”, shkroi ambasadori Hovenier.
Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Tomas Szunyog i quajti skena zhgënjyese dhune pamjet sot në parlament. “Parlamenti nuk është vend për sulme fizike, por vend për të diskutuar propozimet dhe politikat në mënyrë demokratike. Diskursi dhe shkëmbimi i ideve janë bazat themelore të një demokracie”, shkroi ai.
Rama: Opozita t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit jo shembullin e forcës
Kryeministri shqiptar Edi Rama reagoi ndaj përleshjeve në parlamentin e Kosovës, duke theksuar se “të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit! Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, shkroi kryeministri Rama.