NATO në prag të takimit të nivelit të lartë në Vilnius të Lituanisë

Sulmi rus ndaj Ukrainës do të jetë në krye të agjendës të takimit që Presidenti amerikan Joe Biden do të zhvillojë me udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s, më 11 dhe 12 korrik në Vilnus të Lituanisë. Vëmendja do të përqendrohet gjithashtu në përcaktimin e hapave për anëtarësimin në të ardhmen në Ukrainës në NATO, si dhe garancitë e sigurisë, që do t'i nevojiten vendit, në mënyrë Rusia, të mos e sulmojë sërish, pas përfundimit të luftës. Po kështu udhëheqësit e NATO-s do të diskutojnë mbi antarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake, e do të vendosin një objektiv të ri, më të lartë, mbi shpenzimet për mbrojtjen.

Your browser doesn’t support HTML5

Ukraina, planet për mbrojtjen dhe anëtarësimi i Suedisë, në krye te agjendës së NATO-s

Në Vilnus po bëhen përgatitjet e fundit për takimin e nivelit të lartë të NATO-s që nis të martën. Presidenti Joe Biden dhe udhëheqësit e të tjerë të aleancës do të mblidhen vetëm 32 kilometra larg kufirit të Lituanisë me Bjellorusinë, një vend aleat i Rusisë, ndaj dhe takimi po shoqërohet me masa të forta sigurie.

Udhëheqësit perëndimorë pritet të përqendrohen tek agresioni rus në Ukrainë dhe garantimi i mbështetjes për Kievin, për sa kohë që lufta vazhdon. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Lituanisë Gitanas Nauseda, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca synon të forcojmë mekanizmat parandalues në fushën e mbrojtjes, duke parashikuar edhe më shumë investime.

Ne do të rrisim mbështetjen tonë për Ukrainën dhe do ta afrojmë atë edhe më pranë NATO-s. Do të punojmë edhe më ngushtë me partnerët për të mbështetur rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha ai.

Përpara udhëtimit për në Vilnus, për takimin e NATO-s, Presidenti amerikan Biden zhvilloi një vizitë në Britani. Takimi me Kryeministrin Sunak, u përqendrua tek forcimi i bashkëpunimit dhe partneritetit të dy vendeve si anëtare të NATO-s.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe janë shumë të forta”, tha presidenti Biden.

Ky është takimi i gjashtë mes zotit Biden dhe zotit Sunak që kur ky i fundit mori detyrën në tetor.

Ne qëndrojmë si dy nga aleatët më të fortë në NATO. E di që të gjithë duam të bëjmë gjithçka që mundemi, për të forcuar sigurinë euroatlantike”, tha zoti Sunak.

Të dy vendet janë dy nga mbështetësit më të fortë të Kievit. Londra e ka shtyrë Uashingtonin të ndërmarrë hapa më agresivë në ofrimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, por duket se është distancuar nga vendimi i fundit i administrates Biden për të dërguar bomba thërrmuese në këtë vend.

NATO nuk është ende gati të nisë bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën, por po ndihmon këtë vend me stërvitje e modernizim të ushtrisë e institucioneve të saj të sigurisë. Në takimin e nivelit të lartë në Vilnus, pritet të krijohet dhe një forum i ri për konsultime, Këshilli NATO-Ukrainë.

Eksperti i lartë i fondit gjerman Marshall, Bruno Lete, thotë se ky organizëm do t’i sigurojë Ukrainës të drejtën të mbledhë aleatët.

Pra, ky këshill do të jetë sigurisht një instrument politik mjaft i rëndësishëm për Ukrainën", thotë ai.

Por këshilli nuk do të ketë kompetenca të vendosë mbi zbatimin e nenit 5 të traktatit të NATO-s, nga i cili vendet aleate përfitojnë garanci kolektive sigurie. Bazuar tek ky nen, një sulm ndaj cilitdo vendi anëtar të NATO-s, konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve.

"Ukraina do të ketë kompetenca për të mbledhur NATO-n në kohë emergjence, por thjesht për të biseduar", thotë zoti Lete.

NATO pritet të miratojë dhe planet e reja të mbrojtjes, në rast se Presidenti rus Vladimir Putin përpiqet të zgjerojë luftën përtej Ukrainës, në territorin e vendeve aleate. Një vend të rendësishëm do të zërë dhe çështja e shpenzimeve mbi mbrojtjen. Aleatët kanë rënë dakord tashmë që deri në vitin 2024, shpenzimet për mbrotjen të arrijnë në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në Vilnius, udhëheqësit e NATO-s do të bien dakord që ky të jetë niveli minimal i shpenzime për mbrotjen.