Ndërsa vendet anëtare përgatiten për takimin e nivelit të lartë të aleancës në Vilnius, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditura sërish arsyet e dërgimit të bombave thërrmuese në Ukrainë. Megjithatë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, shanset që Ukraina të anëtarësohet së shpejti në NATO janë të pakta.
Your browser doesn’t support HTML5
Bombat thërrmuese përhapin eksploziv që mund të shpërthejë në disa valë dhe kohë të ndryshme dhe të cilat mund të përbëjnë rrezik shumë më të gjerë. Mbi 100 vende kanë ndaluar përdorimin e tyre.
Por, ndërsa Ukrainës po i mbarojnë municionet për kundërofensivën e nisur ndaj Rusisë, Shtetet e Bashkuara po dërgojnë tashmë këtë lloj municioni, shpjegoi zëdhënësi i Këshilli të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.
“Ne do t’i dërgojmë këto predha shtesë me municione thërrmuese për t’i ndihmuar, ndërkohë që po shtojmë prodhimin e predhave të kalibrit 155”, tha zoti Kirby.
Qeveria ruse, e cila është akuzuar për përdorimin e municioneve thërrmuese në zonat urbane të Ukrainës, e dënoi vendimin.
Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë nënvizuar rrezikun nga municionet thërrmuese për civilët. Ligjvënësja demokrate Barbara Lee e shprehu këtë shqetësim në kanalin CNN.
“Nuk shpërthejnë menjëherë. Mund t’i shkelin fëmijët. Kjo është vija që nuk duhet të kalojmë”, tha Ligjvënësja Lee.
Lexoni edhe këtë SHBA, ligjvënësit demokratë të shqetësuar mbi dërgimin e bombave thërrmuese në UkrainëPresidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, theksoi sërish rëndësinë e marrjes së mbështetjes ndërkombëtare në formën e armatimeve të ndryshme.
“Avionët F-16 apo paisjet e tjera që na nevojiten, do të na japin mundësinë të veprojmë më shpejt, të shpëtojmë jetë njerëzish, të mbrojmë më gjatë territorin”, tha ai.
Presidenti Zelensky shtoi se do të dëshironte të merrte garanci të qarta sigurie nga NATO-ja, kur vendet anëtare të mblidhen në Vilnius, të Lituanisë.
Presidenti amerikan Joe Biden, i cili foli për kanalin CNN, uli pritshmëritë për një anëtarësim së shpejti të Ukrainës në aleancë.
“Nuk mendoj se ka mbështetje unanime në NATO për ta bërë Ukrainën anëtare të familjes së NATO-s, ndërsa ajo gjendet në luftë. NATO është një proces që kërkon kohë për arritjen e të gjitha kritereve. Që nga demokratizimi dhe një sërë çështjesh të tjera”, tha Presidenti Biden.
Një pikëpamje të ngjashme shprehu edhe Ligjvënësi republikan Michael McCaul.
“Kanë treguar vullnetin për të luftuar për lirinë dhe demokracinë, kundër tiranisë dhe shtypjes. Mendoj se e kanë fituar të drejtën, por se duhet të përcaktojmë rrugën e duhur për një anëtarësim jo të menjëhershëm në NATO”, tha Ligjvënësi McCaul.
Diskutimet për mënyrën se si Ukraina do të afrohet një hap më pranë anëtarësimit në aleancë, pritet të zhvillohen gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s.