Ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksii Reznikov, mirëpriti vendimin e Shteteve të Bashkuara për ta furnizuar Kievin me bomba thërrmuese, duke thënë se ato do të shërbenin si ndihmë për çlirimin e territorit ukrainas, por premtoi se nuk do të përdoren në Rusi.
Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten se do të furnizonin Ukrainën me bomba thërrmuese, që janë të ndaluara në më shumë se 120 vende, me qëllim për përdorimin e tyre nga trupat ukrainase, në kundër-sulmin e nisur ndaj Rusisë.
Zoti Reznikov tha se bombat thërruese do të ndihmojnë në shpëtimin e jetëve të ushtarëve ukrainas, duke shtuar se Ukrainado të shkëmbejë informacione me partnerët e saj mbi përdorimin e tyre.
“Qëndrimi ynë është tepër i thjeshtë, duhet të çlirojmë territoret e pushtuara dhe të shpëtojmë jetët njerëzore. Ukraina do të përdorë bombat thërrmuese vetëm për çlirimin e territoreve që njihen ndërkombëtarisht si territoret tona. Këto municione nuk do të përdoren në territoret që zyrtarisht njihen si territore ruse”, shkroi ai përmes një postimi në Twitter.
Më shumë se 120 vende janë bërë pjesë e një konvente që ndalon përdorimin e bombave thërrmuese.
Vendet kanë rënë dakord të mos përdorin, të mos prodhojnë, transferojnë apo të kenë rezerva të tyre.
Bombat thërrmuese përmbajnë një numër të konsiderueshëm ‘bombash më të vogla’ që përhapen në një zonë të gjerë.
Bombat të cilat nuk shpëthejnë, por mbeten në terren, paraqesin rrezik për dekada të tëra.