Sekretarja Yellen kritikon masat ndëshkuese të Kinës kundër kompanive amerikane 

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen bëri thirrje të premten për reforma të tregut në Kinë dhe kritikoi masat e saj të ashpra kundër kompanive amerikane dhe kufizimeve ndaj eksportit të mineraleve.

Kryeministri i Kinës në anën tjetër i bëri thirrje që të përpiqet për arritjen e kompromisit me Kinën dhe për rikthimin e marrëdhënies dypalëshe në rrugën e duhur.

Zonja Yellen u takua me Kryeministrin Li Qiang të premten gjatë një vizite në Pekin që synon të riparojë marrëdhëniet e dëmtuara ekonomike SHBA-Kinë, por e bëri të qartë në komentet e saj publike se Uashingtoni dhe aleatët perëndimorë do të vazhdojnë t'i kundërpërgjigjen “praktikave të padrejta ekonomike të Kinës”.

Lexoni edhe këtë Sekretarja amerikane e Thesarit Yellen takohet me kryeministrin kinez

Pavarësisht raportimeve për një shkëputje ekonomike SHBA-Kinë, të dhënat e fundit tregojnë se dy ekonomitë më të mëdha në botë mbeten thellësisht të ndërlidhura, me tregtinë mes dy vendeve që arriti një rekord prej 690 miliardë dollarësh vitin e kaluar.

“Ne dëshirojmë një konkurrencë të shëndetshme ekonomike që nuk mbështetet në idenë se fituesi i merr të gjitha, por që nga e cila, me një sërë rregullash të drejta, mund të përfitojnë të dyja vendet me kalimin e kohës”, i tha zonja Yellen kryeministrit kinez Li Qiang në një takim të premten. Takimi u përshkrua nga Departamenti amerikan i Thesarit si “i sinqertë dhe konstruktiv”.

Kina qarkulloi një deklaratë të kryeministrit Li duke bërë thirrje për forcimin e komunikimit, konsensus mbi çështjet ekonomike dhe “shkëmbime të sinqerta të thella dhe pragmatike, në mënyrë që të injektohet stabilitet dhe energji pozitive në lidhjet ekonomike sino-amerikane”.

“Kina shpreson që SHBA-ja të mbajë një qëndrim racional dhe pragmatik, të jetë e gatshme për kompromis me Kinën dhe të rikthejë marrëdhëniet Kinë-SHBA në rrugën e duhur së shpejti”, thuhet në deklaratën e kryeministrit Li.

Deklarata nuk përmendi kufizimet e fundit ndaj eksportit të mineraleve që përdoren për prodhimin e gjysmëpërçuesve nga të dyja vendet.

Sekretarja Yellen do të takohet të shtunën me zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng, homologun e saj pasi ai është edhe zyrtari më i lartë ekonomik i Kinës, tha një zyrtar i Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara.

Zonja Yellen dhe zyrtarë të tjerë amerikanë janë në një mision të vështirë diplomatik, duke u përpjekur të riparojnë lidhjet me Kinën pasi ushtria amerikane goditi dhe rrëzoi një balonë të qeverisë kineze mbi Shtetet e Bashkuara, ndërsa vazhdojnë të nxisin Pekinin të ndalë praktikat që ato i shohin si të dëmshme për kompanitë amerikane dhe perëndimore.

Kompanitë amerikane në Kinë shpresojnë se vizita e Sekretares Yellen do të sigurojë që rrugët tregtare midis dy ekonomive të mbeten të hapura, pavarësisht nga temperatura e tensioneve gjeopolitike.

Presidenti i Odës Amerikane të Tregtisë, Michael Hart përshëndeti përpjekjet e zonjës Yellen, e cila po kërkon ndryshime në politikat e Kinës dhe tha se vizita e saj mund të hapë rrugën për më shumë shkëmbime në nivele më të ulëta mes palëve.

TAKIM I MUNDSHËM BIDEN-XI

Përpjekjet diplomatike amerikane bëhen përpara një takimi të mundshëm mes Presidentëve Joe Biden dhe Xi menjëherë pas Takimit të Nivelit të Lartë të G-20ës në shtator në Nju Delhi, ose mbledhjes së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor të planifikuar për në nëntor në San Françisko.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken udhëtoi për në Pekin muajin e kaluar dhe ra dakord me presidentin Xi se rivaliteti i ndërsjellë nuk duhet të kalojë në konflikt. I dërguari i presidentit Biden për mjedisin, John Kerry, pritet të vizitojë Kinën gjatë këtij muaji dhe Departamenti amerikan i Thesarit beson se financimet për mjedisin janë një fushë ku Pekini dhe Uashingtoni mund të bashkëpunojnë.

Sekretarja Yellen u tha drejtuesve të biznesit amerikan se një “marrëdhënie e qëndrueshme dhe konstruktive” midis dy vendeve do të sillte përfitime për kompanitë dhe punëtorët amerikanë, por Uashingtoni gjithashtu duhej të mbronte interesat e tij të sigurisë kombëtare dhe të drejtat e njeriut.

REFORMAT E TREGUT

Sekretarja amerikane e Thesarit, Yellen gjithashtu foli për metodat kineze të një ekonomie të planifikuar, duke i kërkuar Pekinit të rikthehej në praktikat e orientuara nga tregu që kishin mbështetur rritjen e shpejtë të Kinës në vitet e kaluara.

“Një zhvendosje drejt reformave të tregut do të ishte në interesin e Kinës”, tha ajo gjatë një aktivitetiti të Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Zonja Yellen hodhi poshtë idenë e shkëputjeve të ekonomive të SHBA-së dhe Kinës, duke rikujtuar se klasa e mesme në rritje e Kinës ofronte një treg të madh për mallrat dhe shërbimet amerikane dhe theksoi se veprimet konkrete të Uashingtonit ndaj Kinës bazoheshin tek shqetësimet e sigurisë kombëtare.