Kryeministri Rama vizitë në Shkup për t’i dhënë shtysë Procesit të Berlinit

  • Isak Ramadani

Edi Rama, Shkup

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili të enjten filloi vizitat në kryeqytetet e vendet e Ballkanit Perëndimor me ndalesën e parë në Shkup, ka biseduar me homologun e tij maqedonas Dimitar Kovaçevski lidhur me rëndësinë e nismave rajonale dhe për synimin e integrimit të dy vendeve në Bashkimin Evropian.

Kryeministri Rama, duke folur para gazetarëve theksoi nevojën e një përkushtimi gjithpërfshirës siç tha ai “për ta kthyer Procesin e Berlinit në një proces funksional”.

"Ne, tha zoti Rama, duhet të zhytemi me mendje dhe me zemër në Procesin e Berlinit; se ky proces nuk ngeci nga ata që e ngritën Ballkanin eHapur, por nga vetot e të tjerëve".

Shpresoj tani t’i japim një shtysë të re duke pasur parasysh se nuk është një proces si deri më sot, por shpresoj që ta kthejmë në një proces të lidhur drejtpërdrejt me planin e ri të financimeve të BE-së. Na duhet Gjermania patjetër, në radhë të parë, por dhe gjithë vendet tjeta për ta jetësuar bashkërisht procesin”, u shpreh kryeminisrti Rama.

“Krahas nismave politike dhe mesazheve që vijnë nga ky proces, ne si rajon na nevojiten përfitime të shpejta, të nevojshme që do të rrisin potencialin ekonomik të rajonit dhe do të reduktojnë hendekun midis vendeve kandidate për anëtarësim në BE dhe vendet anëtare të BE-së, veçanërisht në rajonin e Ervopës juglindore”, theksoi ai.

Ndërsa pak ditë më parë ishte shprehur se “Ballkani i Hapur ka kryer misionin e vetë”, zoti Rama në Shkup theksoi se “edhe një mijë herë do ta ribënte Ballkanin e Hapur; se kjo nuk ëstë nismë përjashtuese”.

Ai tha se Ballkani i Hapur, një ndër 72 nismat, u ndërmor sepse Procesi i Berlinit kishte ngecur dhe nuk ecte dhe sipas tij solli gjëra fantastike që janë në realitetin e njerëzve që shfrytëzojnë Marrëveshjen e Ballkanit të Hapur për të tregtuar e për të lëvizur.

Kryeministri i Shqipërisë foli me tone kritike për sjellen e BE-së gjatë periudhës së koronavirtusit, ndërsa tha se “BE-ja na la si peshku pa ujë dhe ku të gjithë ne u detyruam të shkojmë të kërkojmë vaksina në ato që në gjuhën e përditshme, Bashkimi Europian i quan vende të treta”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski theksoi se sikur Shqipëria, edhe vendi i tij nuk heq dorë nga rruga evropiane.

“Në këtë rrugë të integrimeve evropiane si rajon dhe në mënyrë bilaterale ne ndërmarrim hapa për evropianizimin e shoqërive tona me qëllim sa më shpejtë t’i arrijmë standardet evropiane në çdo kuptim, si sistematike dhe ligjore përsa i përket standardit të jetës së qytetarëve tanë”, theksoi ai.

Ndërsa shprehu interesim për Procesin e Berlinit, zoti Kovaçevski tha nga ana tjetër se Ballkani i Hapur ka konfirmuar rritjen e zhvillimin të bashkëpunimit midis tre shteteve të rajonit, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.

Historia me Ballkanin e hapur nuk ka përfunduar. Ballkani i Hapur dha shumë rezultate që janë të dukshme, të prekshme. Unë të dielën e ardhshme do të kem takim me kryeministren serbe, Ana Bërnabiç dhe do të promovojmë një pjesë të rrugës për të gjithë qytetarët në Korridorin 10. Ballkani i Hapur nuk e ka kryer misionin e vetë, meqë ai angazhohet për vlerat e njëjta për të cilat angazhohet edhe Procesi i Berlinit, si proces më i madh që i përfshin të gjithë pa përjashtim”, tha kryeministri Kovaçevski.

Kryeministri Rama, i shoqëruar në këtë vizitë nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe kryenegociatorja në bisedimet me BE-në, Majlinda Dhuka kanë biseduar me zyrtarët më të lartë qeveritarë në Shkup edhe për takimin e pritshëm të nivelit të lartë të Aleancës së NATO-s, për bashkëpëunimin dhe sfidat në rrugën e integrimit evropian dhe për çështje të tjera rajonale dhe ekonomike.