Putin tha se Rusia është 'e bashkuar si kurrë më parë' gjatë takimit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait

Russian President Vladimir Putin attends a meeting of the Shanghai Cooperation Organization Heads of State Council via videoconference at the Kremlin, in Moscow, Russia, July 4, 2023. (Alexander Kazakov, Sputnik, Kremlin Pool Photo via AP)

NJU DELHI (AP) - Presidenti Vladimir Putin tha të martën se populli rus është "i bashkuar si kurrë më parë", duke kërkuar të krijojë besim pas një revolte jetëshkurtër, ndërsa merrte pjesë në takimin e një organizate ndërkombëtare që i ofroi atij një audiencë dashamirëse.

Takimi i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, organizuar nëpërmjet një videokonference nga India, ishte takimi i parë shumëpalësh i nivelit të lartë për Presidentin Putin që nga një rebelim i armatosur që tronditi Rusinë dhe vjen pasi ai është i etur të tregojë se Perëndimi ka dështuar ta izolojë Moskën për agresionin ndaj Ukrainës që ndërmori në vitin 2022.

Grupi aziatik i sigurisë, i themeluar nga Rusia dhe Kina për të kundërshtuar aleancat perëndimore, mirëpriti gjithashtu Iranin si një anëtar të ri, duke e çuar anëtarësimin në nëntë vende.

Duke folur përmes videos nga Kremlini, zoti Putin vlerësoi organizatën për "luajtjen e një roli gjithnjë e më të rëndësishëm në çështjet ndërkombëtare, duke dhënë një kontribut të vërtetë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, siguruar rritje të qëndrueshme ekonomike të shteteve pjesëmarrëse dhe forcimin e lidhjeve midis popujve".

Ai falënderoi vendet anëtare për mbështetjen e autoriteteve ruse gjatë rebelimit jetëshkurtër të organizuar nga shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, dhe tha se Perëndimi e kishte kthyer Ukrainën në “një shtet praktikisht armiqësor – anti-rus”. Zoti Putin e ka sulmuar shpesh Perëndimin për mbështetjen që i ka dhënë Ukrainës në luftë.

Takimi i nivelit të lartë i dha presidentit Putin një mundësi për të treguar se ai mbetet në kontroll pasi përpjekja ushtarake la disa pikëpyetje rreth ndarjeve midis elitave ruse.

"Populli rus është i bashkuar si kurrë më parë," tha ai. "Solidariteti dhe përgjegjësia për fatin e atdheut u demonstrua qartë nga qarqet politike ruse dhe e gjithë shoqëria duke qëndruar si një front i bashkuar kundër tentativës për rebelim të armatosur".

Folësit e mëparshëm shmangën referimet e drejtpërdrejta për luftën, ndërsa ngritën shqetësime për pasojat e saj globale.

Një deklaratë e miratuar në takimin e nivelit të lartë virtual gjithashtu nuk i referohej Ukrainës, por aty thuhej se kërcënimet dhe sfidat "po bëhen gjithnjë e më komplekse, shkatërruese dhe të rrezikshme, dhe se konfliktet ekzistuese po përkeqësohen dhe po shfaqen konfliktet e reja ".