Një militant i Hamasit u përplas të martën makinën e tij në një stacion autobusi të mbushur me njerëz në Tel Aviv, e më pas nisi të godasë me thikë ata që ndodheshin aty, duke plagosur tetë vetë. Grupet militante palestineze e vlerësuan sulmin, duke e cilësuar atë si përgjigje ndaj operacionit ushtarak të Izraelit në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Shefi i policisë së Tel Avivit, Kobi Shabtai, u tha gazetarëve se një civil i armatosur kishte qëlluar dhe vrarë personin që kreu sulmin.
Ndërkohë më vonë gjatë ditës së martë Kryeministri izrael Benjamin Netanyahu dha sinjale se operacioni në kampin e refugjatëve Jenin, një nga më intensivët në territor në gati dy dekada, po shkonte drejt fundit. Por ai nuk dha detaje se kur do të përfundonte dhe u zotua se do të kryente operacione të ngjashme edhe në të ardhmen.
“Në këto momente ne jemi duke përfunduar misionin dhe mund të them se operacioni ynë i gjerë në Jenin, nuk do të jetë i vetmi”, gjatë një vizite në një postë ushtarake në periferi të Jeninit. "Ne do të vazhdojmë për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të shuar terrorizmin", shtoi ai
Izraeli goditi kampin, i njohur si bastion i militantëve palestinezë, të hënën herët mëngjez, në një operacion që sipas autoriteteve izraelite kishte për qëllim shkatërrimin dhe konfiskimin e armëve. Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thanë se 11 persona janë vrarë dhe dhjetëra janë plagosur.
Buldozerë masivë ushtarakë u futën mes rrugicash, duke lënë dëme të mëdha në rrugë dhe ndërtesa, ndërsa mijëra banorë u larguan nga kampi. Banorët thanë se energjia elektrike dhe uji ishin ndërprerë.
Ushtria izraelite njoftoi të martën pasdite se më pak se 10 objektiva vazhdojnë të jenë në kamp dhe se shpresonte ta përfundonte operacionin brenda 24 orëve.
Bastisja në shkallë të gjerë vjen mes një rritjeje më shumë se njëvjeçare të dhunës që ka krijuar një sfidë për qeverinë e ekstremit të djathtë të zotit Netanyahut, e cila dominohet nga ultranacionalistët. Këta të fundit kanë bërë thirrje për veprime më të ashpra kundër militantëve palestinezë.
Më shumë se 140 palestinezë dhe 26 izraelitë janë vrarë këtë vit si pasojë e rritjes së dhunës.