Shqipëri, opozita akuzon nënkryetaren e Kuvendit për ndikime mbi drejtësinë

KUVENDI SHQIPERI

Në Tiranë, deputetët e opozitës debatuan sot me nën-kryetaren socialiste të Kuvendit, Ermonela Felaj, për faktin se 4 familjarë të saj, bashkëshorti, vëllai, kunata dhe motra e saj, punonin në prokurori.

Ata shprehën dyshime për ndikimet politike në sistemin e drejtësisë dhe cënim të reformës së tij.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, opozita akuzon nënkryetaren e Kuvendit për ndikime mbi drejtësinë

Por deputetja socialiste, Felaj, se karriera e të afërmve të saj ishte bazuar tek meritat e tyre profesionale.

Ndërsa përfaqësuesit e institucioneve të të drejtësisë raportuan mbi punën njëvjeçare të KLGJ-së, KLP-së, SPAK-ut, Prokurorisë së Përgjithshme, deputetët e opozitës akuzuan për nepotizëm nënkryetaren socialiste të Kuvendit, Ermonela Felaj, në prokurorinë e Tiranës, ku punojnë aktualisht disa familjarë të afërm të saj.

Prej 4 vjetësh bashkëshorti i zonjës Felaj, Bledar Valikaj, punon si prokuror në prokurorinë e Tiranës, vëllai i saj Armando Felaj, punon si oficer i policisë gjyqësore pranë kësaj prokurorie, ndërsa bashkëshortja e tij, kunata e deputetes socialiste u transferua nga prokuroria e Durrësit në atë të Tiranës.

Një javë më parë Këshilli i Lartë i Prokurorisë renditi si të parën në tre vendet vakant të prokurorisë së kryeqytetit motrën e nënkryetares së Kuvendit, Eranda Felaj, aktualisht prokurore në Vlorë.

Por akuzave të deputetëve opozitarë, zonja Felaj iu përgjigj se në këto emrërime nuk kishte shkelje ligji dhe gjithçka në karrierë ata e kishin arritur me meritë dhe me shkollim.

"Familjarët e mi dhe unë vet nuk na i kanë dhënë ato tituj politika, por na i ka dhën arsimi. Magjistratë të bën shkolla. Ne nuk jemi Plepista. Nuk jemi nga lista e Sali Berishës, kur ishte president, që i bënte gjyqtarët dhe prokurorët me lista", deklaroi zonja Felaj.

Deputetët opozitarë shprehën shqetësimin se emërime të tilla nepotike në sistemin e drejtësisë të personave me lidhje familjare me politikanë të lartë, si rasti i zonjës Felaj, sjellin ndikime politike dhe dëmtojnë reformën në drejtësi.

Deputeti Gazmend Bardhi theksoi se KLP miraton emrërime bazuar në mbiemrat e familjeve socialiste pranë pushtetit. Sipas tij, ende sistemi i drejtësisë nuk ka ndryshuar dhe se ai bën gjoja sikur punon, duke garantuar paprekshmërinë e një grupi individësh për shkak të statusit, pozicionit apo pasurisë.

"Sot pas shtatë vitesh nga miratimi i reformës në drejtësi mund të themi se nuk ia kemi dalë ende. Vazhdojmë të kemi drejtësinë e mikut dhe të shokut, një drejtësi që pranon ndërhyrjet politike, një drejtësi që ende nuk ka kurajo të ngrejë kokë përpara cilitdo", deklaroi zoti Bardhi.

Ligji i vitit 2016 për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në nenin 8 i quante të papajtueshme lidhjet e ngushta familjare mes magjistratëve si martesë, bashkëjetesë ose të afërmit e tyre deri në shkallën e dytë, ndaj ata nuk mund të punonin në të njëjtën gjykatë ose prokurori.

Por pikërisht ky nen i ligjit, që është pjesë e reformës në drejtësi, u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve.

Në mars 2017 Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenin 8 si të papajtueshëm me Kushtetutën, duke e quajtur si kufizim i të drejtave dhe duke krijuar kështu mundësinë që gjyqtarë dhe prokurorë me lidhje familjare të punojnë të njëjtin institucion.

Ligji pësoi ndryshime të tjera nga Kuvendi në vitin 2019, ndaj sipas përfaqësuesve të KLP-së, këto emërime janë në në përputhje me legjislacionin.

Sistemi i drejtësisë ka hyrë prej disa vitesh në një reformim të thellë, me struktura të reja drejtuese dhe me përzgjedhje të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas kritereve të integritetit profesional dhe pastërtisë pasurore.

Procesi i vettingut ka larguar nga sistemi i drejtësisë më shumë se gjysmën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shqyrtuar, kur deri tani janë analizuar afro tre të katërtat e numrit të përgjithshëm të tyre.