Pas agresionit në Ukrainë, shumë evropianë tani e shohin Rusinë si një vend kundërshtar. Ky është përfundimi i një sondazhi me 16 mijë njerëz në 11 vende anëtare të Bashkimit Evropian. Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, evropianët duket të kenë një opinion më të favorshëm për Kinën.
Your browser doesn’t support HTML5
Sipas sondazhit të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë pothuajse dy të tretat e evropianëve tani e shohin Rusinë si një vend kundërshtar. Ky është dyfishi i numrit të vitit 2021.
Të anketuarit u pyetën gjithashtu për marrëdhëniet e ardhshme të Evropës me Moskën. Rreth gjysma e të anketuarve donin që marrëdhëniet të kufizoheshin - por me dallime.
“Ka vende si Polonia, ku ka një ndjenjë shumë të fortë për të ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me Rusinë, edhe nëse arrihet një paqe e negociuar. Ndërsa ka vende si Bullgaria, Hungaria, apo Austria, si dhe Gjermania, ku ka një ndjenjë mjaft të fortë për t’i rivendosur të gjitha marrëdhëniet e bashkëpunimit me Rusinë pas përfundimit të luftës”, thotë Pawel Zerka me Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
Disa udhëheqës evropianë – veçanërisht presidenti francez Emmanuel Macron – kanë bërë thirrje që Evropa të krijojë një “autonomi strategjike” – aftësinë për të mbrojtur veten, në mënyrë të pavarur nga Shtetet e Bashkuara.
Pothuajse tre të katërtat e të anketuarve shprehen se Evropa nuk mund të mbështetet gjithmonë tek Shtetet e Bashkuara për sigurinë e saj.
“Këtë mund ta interpretosh sigurisht, si një shenjë se evropianët nuk po u besojnë amerikanëve aq shumë sa dikur. Dhe në këtë kuptim, ndoshta presidenca e Donald Trumpit ka lënë pasoja që po vazhdojnë në këtë marrëdhënie. Por mund të ketë një interpretim më dashamirës, sipas të cilit – thjesht për shkak të luftës në Ukrainë – evropianët janë më të gatshëm tani për të marrë përgjegjësinë për sigurinë e tyre” thotë Pawel Zerka.
Sondazhi shqyrtoi gjithashtu qëndrimet e evropianëve ndaj Kinës.
“Njerëzit ende priren ta shohin Kinën më shumë si partner të Evropës dhe jo si një vend rival, apo kundërshtar, edhe pse një shumicë e qartë në çdo vend që ne anketuam, e njeh Kinën si aleate të Rusisë”, thotë zoti Zerka.
Megjithatë, shumica e evropianëve e kundërshton idenë e pronësisë kineze mbi infrastrukturën kryesore.
Rreth 41 për qind e të anketuarve thanë se nëse Kina i jep armë Rusisë, BE-ja duhet të vendosë sanksione ndaj Pekinit – edhe nëse kjo do të dëmtonte ekonomitë perëndimore.