Gjykata e Lartë e SHBA-së vendosi të enjten se kolegjet dhe universitetet nuk mund të përdorin më racën në mënyrë sistematike në procesin e pranimeve të studentëve të rinj. Vendimi i Gjykatës së Lartë ka hedhur poshtë një praktikë të krijuar prej dekadash që synonte rritjen e numrit të studentëve nga pakicat racore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Laurel Bowman, foli me njerëzit jashtë gjykatës disa minuta pas shpalljes së vendimit.
Vendimi historik u publikua pak pas orës 10 të mëngjesit të së enjtes.
Përballë gjykatës, në qendër të Uashingtonit, ishte mbledhur një turmë që priste vendimin.
Disa gjimnazistë shprehin mbështetjen për vendimit të gjykatës.
“Mendoj se raca nuk duhet të luajë një rol të madh për t’u pranuar në kolegj”, thotë Kat Ninala, nxënëse e shkollës së mesme.
“Raca nuk ndikon se sa i aftë është një person për të bërë një punë, për të mësuar diçka, ose për të qenë në gjendje të jetë i suksesshëm në një kolegj dhe nuk duhet të merret parasysh, nëse ai pranohet në kolegj apo jo”, thotë Elise Welch, po ashtu nxënëse e shkollës së mesme.
Yukong Mike Zhao nga organizata “Koalicioni Aziatiko-Amerikan për Arsimin” u gëzua nga vendimi.
“Kjo është një fitore për të gjithë amerikanët, sepse ruan meritokracinë, e cila është themeli i ëndrrës amerikane”, thotë Yokong Mike Zhao.
Por ka të tjerë që janë kundër vendimit, duke thënë se ai mund të pengojë përpjekjet e kolegjeve dhe universiteteve për të ruajtur përfaqësimin sa më të gjerë të shtresave të ndryshme të shoqërisë.
“Ky vendim është shumë i dëmshëm dhe jam shumë i zhgënjyer, sepse vendos një kufizim për të rinjtë në Shtetet e Bashkuara. Ky vend u themelua me idenë e mundësive të barabarta”, thotë Christopher Banks nga organizata ‘Urban League of Portland’ në Oregon.
Avokati James Standish, që aktualisht jep mësim në Universitetin Adventist të Uashingtonit, jep një sugjerim pas vendimit të Gjykatës së Lartë.
“Ne, si shoqëri, do të duhet të shohim me kujdes, se çfarë ndikimi do të ketë kjo në arsimin e lartë, që të mos përfundojmë me institucione në thelb elitare, pa përfaqësim të pakicave historikisht të pafavorizuara. Nuk jam i sigurt se si do të shkojnë gjërat pas këtij vendimi”, thotë zoti Standish.
Anketimet tregojnë se amerikanët janë të ndarë mbi këtë çështje, me rreth gjysmën e personave në moshë madhore, që nuk mbështesin kriterin e racës dhe përkatësisë etnike në vendimmarrjen për pranimin në universitete, ndërsa një e treta e mbështesin atë.