Putini absolutisht i dobësuar nga rebelimi i Grupit Wagner

Presidenti amerikan Joe Biden tha të mërkurën se ai besonte se Presidenti rus Vladimir Putin ishte “absolutisht” i dobësuar brenda vendit të tij nga rebelimi jetëshkurtër i udhëhequr nga kreu i Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin.

Duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Biden tha megjithatë se ishte e vështirë të vlerësohej se në ç’shkallë ishte dobësuar roli i presidentit rus.

“Ai po humb qartësisht luftën në Irak”, tha Presidenti Biden, duke dashur t’i referohej luftës 16-mujore në Ukrainë. “Ai po humb luftën në atdhe. Dhe është bërë disi i padëshiruar në mbarë botën. Dhe nuk është vetëm NATO-ja. Nuk është vetëm Bashkimi Evropian. Është Japonia. Janë... 40 vende”.

Presidenti Biden duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë përpara nisjes për në Çikago (28 qershor 2023)

Zoti Prigozhin synonte të kapte Ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe Gjeneralin Valery Gerasimov, shefin e shtabit rus, gjatë një vizite në rajonin jugor që është në kufi me Ukrainën, raportoi gazeta The Wall Street Journal. Por agjencia ruse e zbulimit të brendshëm, Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), mësoi për këtë plan dy ditë përpara se të ekzekutohej, thanë zyrtarët perëndimorë, duke e shtrënguar kështu zotin Prigozhin të vepronte më shpejt me rebelimin e tij nga ç’kishte planifikuar fillimisht.

Zoti Prigozhin mbërriti në Bjellorusi të martën me ftesë të presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko, aleat i Presidentit Putin, i cili pretendoi se iu desh ta bindte udhëheqësin rus të mos e vriste zotin Prigozhin në formë hakmarrjeje për marshimin e Grupit Wagner drejt Moskës të shtunën e kaluar. Zoti Prigozhin e anuloi rebelimin kundër Presidentit Putin dhe drejtuesve të tij të mbrojtjes, shumë larg një përballjeje me trupat ruse në periferi të kryeqytetit.

Zoti Lukashenko të shtunën negocioi me Presidentin Putin për largimin e zotit Prigozhin për në Bjellorusi, por ende nuk është e qartë se ku ndodhet ai në Bjellorusi, sa luftëtarë e shoqëruan ose sa kohë planifikon të qëndrojë atje.

Presidenti Putin është zotuar për sigurinë e zotit Prigozhin në Bjellorusi dhe sipas mediave shtetërore bjelloruse, autoritari Lukashenko i ka kërkuar të mos e vrasë zotin Prigozhin.

"I thashë Putinit, 'Ne mund ta eliminojmë [Prigozhinin], nuk ka problem. Nëse jo me përpjekjen e parë, atëherë me të dytën'. I thashë: 'Mos e bëj këtë'," tha zoti Lukashenko gjatë një takimi me zyrtarë të sigurisë, sipas mediave shtetërore.

Alexander Lukashenko

Vendet perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj zotit Lukashenko, 68 vjeç, për goditjen e drejtuesve të opozitës dhe lejimin e Rusisë që të sulmonte Ukrainën vitin e kaluar nga territori bjellorus, ndërsa së fundmi e la Rusinë të vendoste armë taktike bërthamore në Bjellorusi për përdorim të mundshëm në konfliktin në Ukrainë.

Ndërsa premtoi se zoti Prigozhin do të ishte i sigurt në Bjellorusi, Presidenti Putin ka shprehur pikëpamje të përziera për Grupin Wagner që nga rebelimi kundër autoritetit të tij dhe udhëheqjes së Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Presidenti Putin i ka karakterizuar drejtuesit e grupit Wagner si tradhtarë, por tha se mercenarët e zakonshëm "treguan vërtet guxim dhe heroizëm" në luftën e tyre kundër forcave të Kievit.

Mbërritja e zotit Prigozhin në Bjellorusi erdhi ndërsa Presidenti Putin tha të martën se Moska kishte paguar 1 miliard dollarë mes majit 2022 dhe majit 2023 për të financuar plotësisht luftëtarët mercenarë të grupit Wagner, në kundërshtim me pretendimet e zotit Prigozhin se ai i kishte financuar vetë mercenarët e tij.

"Përmbajtja e të gjithë Grupit Wagner u sigurua plotësisht nga shteti, nga Ministria e Mbrojtjes, nga buxheti i shtetit. Ne e financuam plotësisht këtë grup", u tha Presidenti Putin zyrtarëve të mbrojtjes në komente të transmetuara në televizion. Rusia dikur mohonte ekzistencën e Grupit Wagner, por kjo organizatë ka punuar për interesat e Rusisë në disa vende afrikane dhe të Lindjes së Mesme.

Yevgeny Prigozhin

Shumë nga luftëtarët e grupit Wagner në Ukrainë ishin kriminelë të liruar nga burgjet ruse me premtimin se nëse do të luftonin në Ukrainën fqinje për gjashtë muaj, pjesa e mbetur e dënimeve të tyre do të anulohej.

Siç rezultoi megjithatë, shumë nga rekrutët e grupit Wagner ishin të keqpërgatitur dhe të pajisur dobët për luftë në vijat e frontit në Ukrainë dhe u vranë me shpejtësi.

Përveç pagesave ruse për pagat dhe shpërblimet stimuluese për mercenarët e grupit Wagner, Presidenti Putin tha se për sipërmarrjen e ushqimeve dhe hotelierisë së zotit Prigozhin u paguan gati 1 miliard dollarë të tjerë për të ushqyer trupat ruse.

"Unë shpresoj se si pjesë e kësaj pune, askush nuk ka vjedhur asgjë, ose le të themi, ka vjedhur më pak. Por ne, sigurisht, do t'i hetojmë të gjitha këto", tha Presidenti Putin për financimin nga shteti të grupit Wagner dhe kompanisë së hotelierisë së zotit Prigozhin.