Vladimir Putini – Kush është njeriu pas imazhit të projektuar

Presidenti rus Putin duke folur në Kremlin (27 qershor 2023)

Autoritetet ruse njoftuan të martën se kanë mbyllur hetimin penal për rebelimin e armatosur të drejtuar nga kreu i mercenarëve Yevgeny Prigozhin, pa ngritur akuza ndaj tij apo pjesëmarrësve të tjerë. Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë tha se hetimi konstatoi se personat e përfshirë në rebelim “ndalën aktivitetet drejt kryerjes së kësaj vepre penale”. Gjatë fundjavës, Kremlini u zotua të mos ngrejë akuza ndaj zotit Prigozhin dhe luftëtarëve të tij, pasi ai ndali rebelimin të shtunën, megjithëse ndërkohë Presidenti Vladimir Putin i kishte quajtur tradhëtarë. Ky moment përbën sfidën e parë të drejtpërdrejtë ndaj Vladimir Putinit që nga marrja e pushtetit në vitin 1999.

Your browser doesn’t support HTML5

Vladimir Putini – Kush është njeriu pas imazhit të projektuar

Presidenti rus Vladimir Putin falenderoi bashkëkombasit për unitetin e tyre pas një rebelimi të shkurtër gjatë fundjavës nga mercenarët e armatosur.

“Të dashur miq, u drejtohem sot sërish të gjithë shtetasve rusë. Ju falenderoj për qëndrueshmërinë, solidaritetin dhe patriotizmin. Solidariteti civil tregoi se çdo shantazh, çdo përpjekje për të organizuar trazira të brendshme, janë të destinuara të dështojnë”, tha ai në një fjalim televiziv.

Presidenti rus përsëriti se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur vendin dhe popullin rus. Përpara se kreu i mercenarëve Yevgeny Prigozhin të deklaronte tërheqjen, Presidenti Putin e quajti rebelimin “një thikë pas shpine për vendin dhe popullin tonë”.

Vladimir Putin ka ruajtur gjithnjë imazhin e burrit të çeliktë, të ftohtë dhe përherë në kontroll të gjithshkaje.

Ai u ngjit në pushtet në kohëra kyçe për historinë e vendit. Në vitet 1990, Rusia po kalonte kohëra të turbullta; komunizmi kishte rënë dhe në vitin 1991 Mihail Gorbaçovi dha dorëheqjen nga posti i Presidentit të Bashkimit Sovjetik. Pasardhësi i tij, Boris Jelcin, ishte një figurë e debatueshme, një populist, që sidoqoftë e drejtoi vendin mes krizave politike dhe ekonomike. Studiuesja Emily Ferris, nga Instituti Mbretëror i Shërbimeve të Bashkuara në Londër, thotë se Vladimir Putini nuk vinte nga shtresat elitare të shoqërisë ruse, por nga një prejardhje shumë modeste.

“Disa nga detajet e fëmijërisë së Putinit mendoj se janë të ditura. Ai u rrit në Leningrad, që tashmë quhet Shën Petersburg dhe vinte nga një familje që ishte relativisht e varfër. Mendoj se ajo që i dha dorë ishte kur u bë pjesë e KGB-së”, thotë zonja Ferris.

Megjithatë, Vladimir Putini nuk shkëlqeu në KGB.

Profesorja e studimeve ruse në Universitetin e Mançesterit, Vera Tolz-Zilitinkevic, thotë se gjatë një interviste në vitin 1991, vetë zoti Putin bëri të ditur se kishte gjetur dokumentat e KGB-së ku konsiderohej i papërshtatshëm për t’u rritur në gradë.

“Rezulton se Putini nuk arriti të përmbushte kriteret psikologjike në dy raste. Pikë së pari ishte mungesa e plotë e ndjeshmërisë ndaj të tjerëve, dhe e dyta ishte pamundësia për të vlerësuar rrezikun siç duhet. Është një zbulim tronditës dhe është e habitshme, që vetë Putini e bëri të ditur si informacion”, thotë profesore Tolz-Zilitinkevic.

Sidoqoftë, periudha e shërbimit të tij në KGB ishte e rëndësishme për krijimin e marrëdhënieve të reja me kolegë, që ai do t’i ruante gjatë gjithë karrierës së tij. Zoti Putin pati një rol më aktiv si ndihmës politik për kryebashkiakun e Shën Petersburgut, Anatoly Sobchak, rol që e ndihmoi për të arritur në qarqet më të larta politike të ish-Presidentit Mihail Gorbaçov dhe Boris Jelcinit. Besnikëria e tij ndaj kryebashkiakut Sobchak vlerësohej nga Boris Jelcini.

“Ishte e qartë se Jelcini duhej të largohej për shkak të shëndetit dhe elitat ruse nuk kishin ndonjë plan për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ato në fakt donin një lloj transferimi të pushtetit, ku me ndihmën e manipulimit mediatik, të caktohej një kandidat dhe pati negociata mes Jelcinit dhe ndihmësave të tij se kush duhej të ishte ky person. Për Jelcinin, besnikëria ishte tepër e rëndësishme”, thotë profesore Tolz-Zilitinkevic.

Zonja Ferris thotë se edhe Vladimir Putini vlerëson besnikërinë.

“Shumë nga personat që janë rreth tij sot në pozicione vërtet të larta në shërbimet e sigurisë, në Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe njerëzit më të afërt janë vërtet nga periudha e mesme e karrierës së tij. Mendoj se kjo rrëfen se sa e rëndësishme ishte për të”, thotë zonja Ferris.

Por, ajo thotë se shumë nga kolegët e tij nuk ja thonë gjithnjë gjërat që ai duhet t’i dijë dhe për rrjedhojë ai nuk ka një pamje të plotë të zhvillimeve.

“Mendoj se ka një ngurim të madh për t’i dhënë lajme të këqija presidentit, apo të dhëna zbulimi që mund të paralajmërojnë probleme për të. Mendoj se ekziston një kulturë për të mos i nxjerrë në pah, ose për t’i zbukuruar disi, aspektet më të parehatshme të jetës së përditshme ruse, pasi askush nuk dëshiron të jetë personi që i sjell pakënaqësi”, thotë zonja Ferris.

Emërimi i parë që ai ka bërë nga jashtë rrethit të Shën Petersburgut është Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, rivali kryesor i kreut të Grupit Wagner.

“Ajo çfarë ai vlerëson pikë së pari është jetëgjatësia e shërbimit dhe së dyti besnikëria dhe këto janë gjëra të vështira për t’i ndërtuar. Janë shumë pak personat rrotull tij, që nuk kanë ngjitur shkallët e ‘Rrethit të Shën Petersburgut’, dhe Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu përbën përjashtim”, thotë zonja Ferris.

Profesore Tolz-Zilitinkevic thotë se zoti Putin ka krijuar qëllimisht baza të ndryshme pushteti, të cilat kontrollohen prej tij, si në industri ashtu dhe në sektorin ushtarak.

“Mendoj se pozita e tij është e dobët dhe kjo dobësi u shfaq shumë, shumë publikisht. Dhe me këtë lloj puçi të abortuar dhe ndërsa ai është poshtëruar, mendoj se ai do të përpiqet t’u tregojë të gjitha këtyre klaneve se ende kanë nevojë ppër të si arbitër”, thotë profesore Tolz-Zilitinkevic.

Zonja Ferris thotë se është gjithashtu e vështirë për shoqërinë ruse të dijë plotësisht se çfarë po ndodh, për shkak të ligjeve të reja që ndalojnë ankesat publike nga punonjësit e sigurisë, ushtarakët dhe policët.