Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borell, tha të martën se vendet anëtare të bllokut po e humbin durimin me situatën në veri të Kosovës dhe kërkojnë nga palët hapa për shtensionimin e saj.
“E kam bërë të qartë edhe pas takimit të djeshëm të ministrave të Jashtëm të BE-së se, palët duhet t’i ulin tensionet dhe të gjejnë zgjidhje sipas planit që u është paraqitur atyre javën e kaluar në Bruksel. Situata kërkon hapa të shpejtë, shtensionim dhe zgjidhje të shpejtë, dhe mund t’ju them që vendet anëtare janë duke e humbur durimin me situatën që po përkeqësohet, prandaj kërkojnë veprime të shpejta”, tha zoti Borrell në Bruksel në një konferencë më gazetarë së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama, të cilin e falënderoi për përpjekjet e tij për të ndihmuar shtensionimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Lexoni edhe këtë Borrell: BE-ja e gatshme për masa ndëshkuese ndaj palëve nëse nuk shtensionohet situata në veri të KosovësKryeministri Rama, ritheksoi angazhimin e Shqipërisë për uljen e tensioneve Kosovë – Serbi të cilat i cilësoi shumë shqetësuese.
“Ne jemi pjesë e rajonit i cili ka vuajtur shumë në të kaluarën dhe nuk mund të jetojmë me kthim prapa. Zhvillimet nuk janë të ndara nga njëra-tjetra dhe nuk mund ta shikojmë vetëm shtëpinë dhe detyrat tona, pa u shqetësuar se çfarë ndodh rreth nesh”, tha kryeministri Rama.
Ai tha se lirimi një ditë më parë i tre policëve të Kosovës që po mbaheshin në Serbi është lajm i mirë dhe tani është koha për shtensionim urgjent.
Kryeministri Rama përsëriti idenë e tij për një konference të nivelit të lartë që do t’i bënte palët bashkë “dhe të mos lejohen të dalin nga dhoma pa zgjidhje, apo në të kundërtën të përballen me pasojat”, sepse, shtoi ai, nuk duhet lejuar që gjithçka që është arritur në rajon “të shembet si një kullë prej rëre“.
Është mbushur një muaj krize në veri të Kosovës pasi autoritetet nisën të zbatojnë rezultatin e zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe. Në komunat veriore grupe qytetarësh serbë po vazhdojnë të kundërshtojnë vendosjen në zyrat komunale të kryetarëve shqiptarë. NATO-ja shtoi praninë e trupave në Kosovë pas dhunës që përshkoi protestat në veri me ç’rast 30 paqeruajtës të KFOR-it mbetën të plagosur. Javën e kaluar tensionet u shtuan pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Lirimi i tyre një ditë më parë nën trysninë amerikane dhe euro-perëndimore, u pa si një mundësi për hedhjen e hapave të tjerë drejt shtensionimit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bisedoi të hënën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç për të nxitur uljen e përshkallëzimit të menjëhershëm të tensioneve në veri të Kosovës, duke i shprehur mbështetje planit evropian për këtë çështje.
Lexoni edhe këtë Sekretari Blinken i kërkon Kurtit dhe Vuçiçit uljen e tensioneve në veri të KosovësJavën e kaluar zoti Borrell, takoi ndarazi në Bruksel kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, të cilëve u paraqiti pritjet e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës.
Nga Kosova kërkohet pezullimi i operacioneve policore në ndërtesat e komunave në veri dhe që katër kryetarët e komunave përkohësisht t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. Nga Serbia ndërkaq të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës. Pjesë e kërkesave është edhe organizimi i zgjedhjeve të reja në katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Asnjëra palë nuk dha shenja gatishmërie për të lëshuar pe dhe zoti Borrell paralajmëroi masa të reja nëse palët nuk i ulin tensionet.