Yevgeni Prigozhin, udhëheqësi i grupit mercenar rus ‘Wagner’ , ka mbërritur në Bjellorusi pasi organizoi një rebelim jetëshkurtër fundjavën e kaluar kundër udhëheqjes së presidentit rus Vladimir Putin mbi luftën në Ukrainë, tha të martën Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko.
Nuk është e qartë se në cilin rajon të Bjellorusisë ndodhet zoti Prigozhin, sa luftëtarë po e shoqërojnë atë dhe sa kohë do të qëndrojë atje. Lukashenko, një aleat i Putinit, të shtunën e kaluar negocioi largimin e Prigozhinit për në Bjellorusi pasi shefi i grupit ‘Wagner’ udhëhoqi mijëra luftëtarë të tij nga Ukraina drejt Moskës përpara se të ndërpriste marshimin rreth 200 kilometra larg kryeqytetit rus.
Presidenti rus Vladimir Putin i ka premtuar siguri Prigozhinit në Bjellorusi dhe sipas mediave shtetërore bjelloruse, Presidenti autoritar Lukashenko i ka kërkuar Putinit të mos e vrasë Prigozhinin.
"I thashë Putinit: ne mund ta humbim Prigozhinin, nuk ka problem. Nëse jo në përpjekjen e parë, atëherë në të dytën. Unë i thashë: mos e bëj këtë", tha Lukashenko gjatë një takimi me zyrtarët e sigurisë, sipas mediave shtetërore në Minsk.
Vendet perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj 68-vjeçarit Lukashenko për goditjen e figurave të opozitës dhe lejimin e Rusisë për të sulmuar Ukrainën vitin e kaluar nga territori bjellorus. Së fundmi, ai i dha leje Rusisë që të dislokojë armë taktike bërthamore në Bjellorusi për përdorim të mundshëm në konfliktin në Ukrainë.
Lexoni edhe këtë Kremlini lufton për të shpëtuar imazhin e Putinit pas rebelimitNdërsa premtoi se Prigozhin do të jetë i sigurt në Bjellorusi, zoti Putin ka shprehur pikëpamje të përziera për grupin ‘Wagner’ që nga rebelimi kundër autoritetit të tij dhe udhëheqjes së ministrisë ruse të mbrojtjes. Putini i ka karakterizuar udhëheqësit e grupit ‘Wagner’ si tradhtarë, por tha se mercenarët "me të vërtetë treguan guxim dhe heroizëm" në luftën kundër forcave të Kievit.
Shërbimi Federal rus i Sigurisë njoftoi më herët të martën se po mbyllte hetimet nën akuzat për rebelim të armatosur, ndaj Yevgeny Prigozhinit, si dhe anëtarëve të grupit të tij ‘Wagner’.
Në një deklaratë që u publikua nga agjencitë ruse të lajmeve, agjencia tha se personat e përfshirë në rebelim, i kishin ndërprerë aktivitetet kriminale.
Rrëzimi i çështjes penale kundër grupit të mercenarëve rusë ishte pjesë e një marrëveshjeje të arritur të shtunën vonë në mbrëmje, e cila i dha fund rebelimit. Marrëveshja u ndërmjetësua nga presidenti i Bjellorusisë Lukashenko.
Po të martën Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se grupi ‘Wagner’ po përgatitej t’i dorëzonte ushtrisë ruse, pajisjet e rënda ushtarake.
Sipas portaleve që shërbejnë për gjurmimit e fluturimeve, një avion me të cilin dyshohet se ka udhëtuar zoti Prigozhin, ishte ulur të martën në Bjellorusi.
Zoti Prigozhin ka thënë se do të shkonte në Bjellorusi, si pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga zoti Lukashenko.
Lexoni edhe këtë Vladimir Putini – Kush është njeriu pas imazhit të projektuarNdërkohë sot gjatë një fjalimi përpara anëtarëve të ushtrisë, Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko, shmangu përmendjen e rebelimit jetëshkurtër që goditi Rusinë në fundjavë.
Zoti Lukashenko foli për kërcënimin që paraqet zgjerimi i NATO-s dhe ajo që ai e quajti një "grumbullim i i pashembullt i trupave të aleancës" pranë kufijve të Bjellorusisë.
“Ne po shohim qartë një valë të re të zgjerimit të NATO-s dhe një grumbullim të paprecedentë të potencialit të anëtarëve të aleancës në rajon, sikurse në afërsi të kufijve tanë”, tha ai.
Zoti Lukashenko, një aleat i ngushtë i Presidentin Putin, ka sunduar Bjellorusinë me dorë të hekurt për 29 vjet, duke mbytur pamëshirshëm disidencën dhe duke u mbështetur tek subvencionet dhe mbështetja politike ruse.