Prigozhin komenton pas rebelimit: Nuk synonim përmbysje në Moskë

Yevgeny Prigozhin

Udhëheqësi mercenar rus, Yevgeny Prigozhin, tha të hënën, në komentet e tij të para publike që nga përfundimi i një rebelimi njëditor nga grupi Wagner të shtunën, se synimi i tij ishte protesta ndaj mënyrës se si është zhvilluar lufta në Ukrainë dhe jo përmbysja e qeverisë në Moskë.

Në mesazhin me audio prej 11 minutash, të publikuar në rrjetin Telegram, Yevgeny Prigozhin thotë se: “marshimi tregoi probleme serioze të sigurisë në vend dhe nuk kishte për qëllim të rrëzonte udhëheqjen ruse”.

“Qëllimi ynë ishte të mbanim përgjegjës ata që bënë gabime gjatë operacionit ushtarak special”, shprehet ai më tej në mesazhin audiofonik. “Marshimi kishte për qëllim të shmangte shkatërrimin e grupit Wagner. Ne u kthyem mbrapsht për të shmangur gjakderdhjen e ushtarëve rusë dhe treguam përsosmëri se si duhet të ishte 24 shkurti i vitit 2022”, thotë ai duke nënkuptuar fillimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.

Ai thotë më tej se ndaj grupit të tij ishte hapur zjarr me helikopterë dhe raketa, ndërsa shpreh keqardhjen për goditjen e aviacionit rus nga mercenarët e tij.

Ai nuk përmendi vendndodhjen e tij, planet për ardhmen dhe nuk dha detaje lidhur me marrëveshjen misterioze që çoi në ndalimin e marshimit drejt Moskës. Të shtunën ai tha se po shkonte në Bjellorusi sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga presidenti i atij vendi.

Ndërkohë, Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu bëri paraqitjen e tij të parë publike që pas revoltës së grupit të mercenarëve ‘Wagner”, të cilët kërkuan largimin e tij. Në një video të publikuar të hënën ai u shfaq duke inspektuar trupat në Ukrainë. Pamjet synonin të jepnin idenë se gjithçka ishte në rregull pas krizës më serioze politike me të cilën është përballur Rusia ndër dekada.

Por fati i Sergei Shoigut vazhdon të jetë i pasigurt sikurse dhe ai i udhëheqësit të revoltës Yevgeny Prigozhin dhe ushtrisë së tij private. Zhvillimet e fundit kanë ngritur pikëpyetje rreth ndikimit të tyre tek lufta në Ukrainë e madje tek e ardhmja politike e Presidentit Vladimir Putin.

Të hënën zyrtarët rusë nuk dhanë detaje rreth marrëveshjes që i dha fund papritur rebelimit. Mikhail Mishustin, kryeministri i Rusisë pranoi se Rusia ishte përballur me "një sfidë ndaj stabilitetit të saj" dhe bëri thirrje për besnikëri publike.

"Ne duhet të veprojmë së bashku, si një ekip dhe të ruajmë unitetin e të gjitha forcave, duke u bashkuar rreth presidentit", tha ai në një takim të qeverisë që u transmetua në media.

Sot Kremlini publikoi një video të zotit Putin duke uruar pjesëmarrësit në një forum industrial, por pa bërë asnjë koment rreth revoltës. Të shtunën presidenti rus tha se rebelimi vuri në rrezik ekzistencën e Rusisë dhe u zotua se do të ndëshkonte ata që qëndronin pas saj.

Përplasjet mes udhëheqësit të grupit ‘Wagner’, Jevgeny Prigozhin dhe ushtrisë ruse, të cilat janë acaruar gjatë gjithë luftës, shpërthyen në një revoltë që çoi në marshimin e tyre drejt Moskës. Ata arritën të marrin kontroll komandën e ushtrisë ruse për luftën në Ukrainë në qytetin Rostov-mbi-Don. Por pas më pak se 24 orë nga fillimi i rebelimit, trupat e grupit ‘Wagner’ u ndalën. Kremlini njoftoi se kishte arritur një marrëveshje që zoti Prigozhin të largohej në Bjellorusi, dhe se ai dhe trupa e tij nuk do të ndiqeshin penalisht. Por të hënën mediat ruse njoftuan se hetimi penal kundër tij vazhdon dhe se vendndodhja e udhëheqësit të grupit ‘Wagner’ nuk dihet.

Në një përpjekje për të injektuar një ndjenjë normaliteti, të paktën në sipërfaqe, Kryebashkiaku i Moskës Sergey Sobyanin njoftoi fundin e "gjendjes së gatishmërisë kundër terrorizmit", që u vendos në kryeqytet të shtunën, shoqëruar me ngritje postoblloqesh si dhe dislokim trupash e automjetet të blinduara në periferi të Moskës. Autoritetet shkuan deri aty sa prishën rrugët që të çonin drejt kryeqytetit.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjenerali Valery Gerasimov, një prej personave në shënjestër të revoltës së zotit Prigozhin, nuk është shfaqur në publik.

Mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me zotin Prigozhin dhe forcat e tij bazuar në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të shtunën se zoti Putin ka dhënë fjalën, se ai do të lejohet të shkojë në Bjellorusi.

Agjencia shtetërore e lajmeve ‘RIA Novosti’ citoi burime të paidentifikuara të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm sipas të cilëve çështja penale kundër zotit Prigozhin nuk është mbyllur, pavarësisht deklaratave të mëparshme të Kremlinit. Agjencia e lajmeve ‘Interfax’ bëri një njoftim të ngjashëm.

Nëse çështja penale ndaj tij vazhdon, prania e zotit Prigozhin në Bjellorusi, një vend aleat i vendosur i Kremlinit, do të ofronte pak mbrojtje ndaj arrestimit dhe ekstradimit të mundshëm të tij.