Ministria britanike: Forcat ukrainase përparojnë në lindje

  • VOA

Ministria britanike e Mbrojtjes tha të dielën se “gjatë ditëve të fundit", Ukraina ka ndërmarrë përsëri "operacione të mëdha sulmuese" në tre zona kryesore në Ukrainën jugore dhe lindore.

Sipas raportit, forcat ukrainase kanë mësuar nga përvoja e dy javëve të para të kundërofensivës dhe kanë përmirësuar taktikat e tyre ndaj forcave agresore ruse.

Trupat ukrainase kanë avancuar në disa drejtime rreth qytetit Bakhmut në rajonin e Donetskut, tha të shtunën zëvendësministrja e Mbrojtjes Hanna Maliar. Ajo tha përmes një postimi në rrjetin Telegram se po “bëhet përparim në të gjitha drejtimet”, duke shtuar se Rusia po pëson humbje të konsiderueshme ndër radhët e saj, si edhe në armë e pajisje.

Sipas zonjës Maliar, forcat ukrainase kishin përparuar në fshtatrat Orikhovo-Vasylivka, Bohdanivka, Yahidne, Klishchiivka dhe Kurdyumivka ndërsa shtoi se në jug, luftimet vazhdojnë ende.

Në frontin jugor, komandanti Oleksandr Tarnavskiy tha se forcat ukrainase çliruan një zonë në perëndim të Donetskut që ishte kontrolluar nga forcat separatist ruse që nga viti 2014.

Tre zyrtarë të lartë ukrainas sinjalizuan të premten se pjesa kryesore e kundërofensivës ndaj trupave ruse nuk ka filluar ende.

Zyrtarët e Kievit njoftuan të shtunën, se tre persona humbën jetën dhe të të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi me raketa nga trupat ruse.