Grekët iu drejtuan kutive të votimit të dielën për herë të dytë në më pak se dy muaj për të zgjedhur një parlament të ri, mes pritjeve që konservatorët e ish kryeministrit Kyriakos Mitsotakis të fitojnë një mandat të dytë.
Zgjedhjet e së dielës po mbahen nën hijen e mbytjes së një anijeje emigrantësh me 14 qershor në jug të Greqisë, në të cilën qindra njerëz dyshohet se kanë humbur jetën. Një nga fatkeqësitë më të rënda ndër vite, ka shpërfaqur ndarjet e thella të palëve mbi migracionin.
Partia Demokracia e Re e zotit Mitsotakis fitoi zgjedhjet e 21 maj kundruall partisë së majtë Syriza që qeverisi Greqinë nga viti 2015 deri në vitin 2019.
Lexoni edhe këtë Pas fitores bindëse, Mitsotakis nuk pranon mandat për koalicion, kërkon zgjedhje të rejaPor ajo nuk fitoi shumicën e nevojshme për të qeverisur pa një koalicion, duke nxitur votimin e dytë sipas rregullave të ndryshuara që e bëjnë më të lehtë për partinë fituese të sigurojë një shumicë në parlamentin prej 300 vendesh.
Anketat e ditëve të fundit e nxorën Demokracinë e Re me më shumë se 40 për qind të votave, të pasuar nga Syriza e ish kryeministrit Alexis Tsipras me 20 për qind.
Mbytja e anijes la nën hije çështjet e tjera në prag të zgjedhjeve, përfshirë krizën e kostos së jetesës dhe një aksident vdekjeprurës hekurudhor në muajin shkurt që shpërfaqi mangësitë në sistemin e transportit publik.
Lexoni edhe këtë Mbytja e varkës në brigjet greke, nëntë të pandehur egjiptianë para gjykatësEkipet e shpëtimit gjetën 104 të mbijetuar, por deri në 750 persona mendohet se ishin në anijen e mbytur që po lundronte nga Libia për në Itali. Anija ishte nën vëzhgimin e rojës bregdetare greke para se të fundosej. Roja bregdetare ka thënë se udhëtarët refuzuan të gjitha ofertat për ndihmë.
Zoti Mitsotakis, administrata e të cilit ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj migracionit, tha se "trafikantët” ishin fajtorë për fatkeqësinë dhe lavdëroi rojet bregdetare për shpëtimin e njerëzve.
Zoti Tsipras ka shtruar mëdyshjet përse roja bregdetare nuk ndërhyri më herët. Nën administratën e mëparshme të Syriza-s, më shumë se një milion refugjatë dhe emigrantë arritën në ishujt grekë, ndërsa u përpoqën të hynin në Evropë në vitet 2015 dhe 2016.