Shtetet e Bashkuara dhe Kina po e cilësojnë si të suksesshëm takimin në Pekin mes Sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe Presidentit Xi Jinping. Takimi u zhvillua ndërsa janë shtuar tensionet mbi Tajvanin, lidhjet e Pekinit me Kremlinin dhe veprimet ushtarake kineze të konsideruara si “të pasigurta” nga zyrtarët amerikanë.
Takimi mes udhëheqësve amerikanë dhe kinezë në Pekin ishte i nivelit më të lartë ndër vite.
“Shumë i sinqertë, i thellë dhe, në disa tema, konstruktiv. Në disa fusha kemi shumë punë për të bërë”, tha kryediplomati amerikan duke folur për vizitën e tij në Pekin.
Ndërsa të dy palët ranë dakord mbi nevojën për të vendosur komunikim të rregullt, Sekretari i Shtetit Antony Blinken nuk siguroi një marrëveshje me palën kineze për të krijuar kanale komunikimi mes dy ushtrive.
“Aktualisht, Kina nuk ka pranuar të bëjë përparime në këtë drejtim”, tha zoti Blinken.
Uashingtoni thotë se linjat e komunikimit ushtarak duhet të mbeten të hapura në rast krize.
Në fillim të këtij muaji, një luftanije kineze u afrua 140 metra pranë një destrojeri ushtarak amerikan, duke e detyruar atë të ngadalësonte shpejtësinë për të shmangur përplasjen.
Një javë më parë, një avion luftarak kinez fluturoi pranë një avioni amerikan survejimi mbi Detin e Kinës Jugore
Tensionet midis dy vendeve janë të larta edhe për Tajvanin. Kina ka thënë se dëshiron ta kontrollojë ishullin demokratik, nëse është e nevojshme edhe përmes forcës.
“Kjo mund të shkaktonte një krizë ekonomike që mund të ndikonte në të gjithë botën”, tha zoti Blinken
Pesëdhjetë për qind e trafikut komercial të kontejnerëve kalon përmes ngushticës së Tajvanit ndërsa 70% e gjysmëpërçuesve prodhohen në Tajvan.
Lidhur me marrëdhëniet kino-ruse, zoti Blinken tha se udhëheqësit kinezë e kanë siguruar përsëri SHBA-në se Kina nuk do ta furnizojë Rusinë me armë që mund të përdoren në luftën e paprovokuar të Kremlinit kundër Ukrainës.
“Kemi shqetësime të vazhdueshme për firmat dhe kompanitë kineze që mund t’i ofrojnë Rusisë teknologji që ajo mund ta përdorë për të çuar përpara agresionin e saj në Ukrainë. I kemi kërkuar qeverisë kineze që të tregohet shumë vigjilente lidhur me këtë”, tha zoti Blinken.
Analistët paralajmërojnë se Pekini po e përdor këtë taktikë për të vlerësuar reagimin botëror.
“Duket qartë si një lloj prove për të parë se çfarë mund të bëjnë ata në lidhje me ndihmën ndaj Rusisë dhe Ukrainës. Me aq sa mund të them, motivi kinez është se ata duan të ruajnë qasjen në tregjet evropiane, duke ndihmuar Putinin sa më shumë që të jetë e mundur në të njejtën kohë, thotë Bradley Bowman me Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive
Marrëdhëniet SHBA-Kinë arritën nivelet më të ulta pasi Shtetet e Bashkuara rrëzuan në fillim të këtij viti një balonë spiune kineze, që fluturoi nëpër hapësirën ajrore amerikane. Udhëtimi i zotit Blinken fillimisht ishte caktuar për në muajin shkurt, por u riplanifikua pas incidentit me balonë.
Udhëheqësit botërorë e vlerësuan takimin Blinken-Xi, ndërsa Kancelari gjerman Olaf Scholz e cilësoi takimin si shenjë të një normalizimi shumë të nevojshëm të marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Pekinit.