Ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën në Bruksel për të diskutuar masat për sigurinë, ndërsa vazhdon sulmi i Rusisë në Ukrainë. Ministrat e mbrojtjes përgatitën gjithashtu kuadrin për takimin e nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahet pas një muaji në Lituani, ku Presidenti Joe Biden dhe homologët e tij do të shprehin mbështetjen e tyre për Ukrainën.
Ministrat e mbrojtjes morën pjesë në ministerialin e NATO-s në Bruksel për të diskutuar rreth luftës së Rusisë në Ukrainë dhe masave për sigurinë euro-atlantike.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e quajti agresionin e Rusisë në Ukrainë kërcënimin më të madh për brezin tonë.
“Me luftën e agresionit të Presidentit Putin ndaj Ukrainës, ne përballemi me kërcënimin më serioz ndaj sigurisë euro-atlantike që prej një gjenerate. Kemi aktualisht mbi 40 mijë forca nën komandën e drejtpërdrejtë të NATO-s, dhe shumë të tjerë në gjendje të lartë gatishmërie, të mbështetur nga mjete të konsiderueshme ajrore dhe detare. Kemi dyfishuar numrin e grupeve luftarake shumëkombëshe, që nga Balltiku dhe deri në Detin e Zi”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Takimi i ministrave të mbrojtjes vjen vetëm një muaj përpara se Presidenti amerikan Joe Biden dhe homologët e tij do të mblidhen për një takim të nivelit të lartë në Lituani, për të demonstruar mbështetjen për Ukrainën.
“Sot do të përgatisim terrenin për një takim të nivelit të lartë të NATO-s në Vilnius, ku udhëheqësit do të marrin vendime për të forcuar më tej kapacitetet tona parandaluese dhe mbrojtëse. Do të shqyrtojmë planet e përditësuara për mbrojtjen e Evropës”, tha zoti Stoltenberg.
Në takimin e nivelit të lartë, vendet anëtare të NATO-s pritet të nënvizojnë vendosmërinë e tyre për të vepruar në rast se Presidenti rus Vladimir Putin përpiqet ta zgjerojë luftën drejt perëndimit.
NATO ra dakort në vitin 2008, se Ukraina do të anëtarësohet në organizatë një ditë, por nuk caktoi një datë për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin.
Ndërsa lufta vazhdonte, Ukraina aplikoi për një “anëtarësim të përshpejtuar” në NATO, më 30 shtator.
Ndërsa Gadishulli i saj i Krimesë është i aneksuar, dhe forcat ruse dhe separatistët pro-Moskës mbajnë pjesë në jug dhe në lindje të vendit, nuk është e qartë se çfarë trajte do të kenë kufijtë e Ukrainës.
NATO nga ana e asaj po rrit marrëdhëniet me Ukrainën.
Komisioni NATO-Ukrainë do të shndërrohet në një Këshill NATO-Ukrainë, duke i mundësuar kështu këtij vendi uljen në të njëjtën tavolinë me të 31 vendet anëtare të Atlantikut të Veriut.