Kosovë, policia arreston tre serbë brenda tre ditësh për sulm ndaj gazetarëve

SERBS/VIOLENCE-SERBIA

Policia e Kosovës njoftoi të hënën se është arrestuar një pjesëtar i kmunitetit serb nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj gazetarëve.

Sipas policisë, i arrestuari që u identifikua me inicialet U.V., “është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023”.

Ky është personi i tretë i arrestuar brenda tre ditëve për sulm ndaj gazetarëve në komunën e Leposaviçit dhe Zveçanit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, shkroi sot në rrjetet sociale se i arrestuari i tretë, është Urosh Vukasinoviç. Ai i quati të arrestuarit kriminelë, të cilët sipas tij “po marrin urdhra për këto sulme nga Beogradi, dhe tashmë do të përballen me drejtësinë”.

Ministri Sveçla tha se çdo përgjegjës për dhunën dhe aktet kriminale ndaj gazetarëve, do të arrestohet.

Arrestimet e fundit kanë ngjallur reagime e qytetarëve serbë në veri të Kosovës, të cilët të hënën protestuan në komunat Leposaviç dhe Mitrovicë e Veriut me kërkesat për lirimin e tyre. Ata akuzuan qeverinë e kryeministrit Albin Kurti për arrestimin e serbëve për shkak të identitetit të tyre.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë tha se kryeministri Albin Kurti pa asnjë provë po arreston serbët çdo ditë. Nëpërmjet një komunikate, kjo zyre akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për siç tha mbyllje të syrit përballë këtyre arrestimi ndërsa kërkoi “të ndalojë lëvizjet e paarsyeshme të Prishtinës, sepse paqja në Kosovë mund të mbijetojë vetëm me përpjekjet mbinjerëzore të serbëve nga veriu i Kosovës, të cilët me durim duruan torturat e Kurtit për dy vjet”, thuhet në reagim.

Më 16 qershor, policia dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thanë se disa punonjës mediesh pësuan lëndime nga sulmet e protestuesve serbë në komunën e Leposaviçit në veri të Kosovës, disa prej të cilëve përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore.

Këto sulme u dënuan nga institucionet vendase dhe ndërkombëtare të cilat kanë bërë thirrje që “mediat të jenë në gjendje të punojnë pa dhunë dhe frikësim”.