Në fund të shekullit, më shumë se dy miliardë njerëz do të jetojnë në vende ku i nxehti ekstrem do të jetë kërcënues për jetën, thonë studiuesit në Evropë dhe Kinë. Sipas një studimi të publikuar së fundmi, një e pesta e popullsisë së botës do të përballet me këtë kërcënim.
Studiues nga Kina, Holanda dhe Britania paralajmërojnë se nxehtësia ekstreme do ta bëjë jetën të padurueshme në pjesën jugore të globit.
Your browser doesn’t support HTML5
Sipas raportit “Kostoja Njerëzore e Ngrohjes Globale”, të publikuar në revistën “Nature Sustainability”, disa zona në Indi, Nigeri dhe Indonezi do të bëhen pothuajse të pabanueshme për shkak të nxehtësisë ekstreme.
India tashmë po përballet me valë të nxehtësisë ekstreme, duke lëshuar këtë vit paralajmërime për pasojat e rënda nga temperaturat e larta në shtatë shtete qendrore dhe jugore të vendit.
Tim Lenton, profesor në Universitetin Exeter dhe një nga autorët e raportit, thotë se edhe vendet e Evropës do të bëhen më të thata nga rritja e temperaturave. Ai i përshkruan zonat që do t’i mbijetojnë mirë nxehtësisë si të favorizuara.
“Temperatura dhe reshjet së bashku ndërtojnë një strukturë interesante që krijon kushtet për një jetë të mirë për njërëzit në zonat më të ftohta. Zonat me temperatura të larta nuk janë të mira për jetën, ndërsa ato që ndikohen nga shirat monsune, i nxehti dhe lagështia ofrojnë kushte më të mira për jetën. Dhe situata është e rëndë në zonat me temperatura shumë më të larta", thotë zoti Lenton.
Sipas vlerësimeve më konservatore të studimit, në vitin 2100 temperatura do të arrijë 2.7 Celsius mbi nivelet që ishte në periudhën para zhivillimit industrial.
Studimi thotë se dy miliardë njerëz do të jetonin në kushte klimatike kërcënuese për jetën. Profesor Lenton thotë se më pak se një për qind e njerëzimit aktualisht jeton në vende me nivel të rrezikshëm të nxehtësisë, por studimi tregon se ndryshimi i klimës tashmë e ka nxjerrë nëntë për qind të popullsisë së botës, ose më shumë se 600 milionë njerëz, jashtë zonës së favorizuar.
Ai thotë se njerëzimi duhet të përqendrohet në përpjekjet kundër ngrohjes globale tani për të shpëtuar miliarda jetë në të ardhmen.
“Kufizimi i rritjes së ngrohjes globale me një gradë Celsius do të kishte një rëndësi shumë të madhe sepse do të shpëtonte 140 milionë njërëz nga nxehtësia e padurueshme. Pra, është një sasi spektakolare për t'u fituar përmes veprimeve më vendimtare klimatike që mund të merren tani.”
Dr. Friederike Otto, shkencëtare klimatike nga Instituti Grantham për Ndryshimet Klimatike dhe Mjedisin në Kolegjin Imperial të Londrës, e cila nuk është anëtare e ekipit që përpiloi raportin, thotë se shumë njerëz tashmë po vdesin nga nxehtësia ekstreme.
“Ajo që thekson ky raport është se me rritjen e nxehtësisë ekstreme, do të rritet edhe numri i njerëzve që do të jetojnë në kushte të rrezikshme dhe i atyre që do të vdesin nga nxehtësia ekstreme.”
Zonja Otto thotë se ka një arsye të mirë pse valët e të nxehtit ekstrem quhen vrasës të heshtur.
“Shpesh nuk i vërejmë këto vdekje sepse njerëzit nuk vdesin në mes të rrugës. Por, zakonisht të varfërit dhe ata që jetojnë në banesa me kushte jo të mira vdesin në shtëpitë e tyre dhe më vonë bëhën pjesë e statstikave mbi pasojat e ngrohjes globale”, thotë ajo.