SHBA, shtohen paralajmërimet për një mbyllje të qeverisë, ndërsa republikanët kërkojnë shkurtime të tjera

Një statujë e George Washington-it qëndron nën kubenë e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara

UASHINGTON – Ndërsa Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve po bën përpjekje për të plotësuar kërkesat e republikanëve të linjës së ashpër dhe për të tejkaluar situatën e krijuar nga një rebelim i fundit, disa demokratë paralajmërojnë për një rrugëtim të vështirë për miratimin e legjislacionit që do të garantojë funksionimin e qeverisë.

Ligjvënësit republikanët organizuan një votim javën e kaluar për armët dhe një votim për masa ndëshkimore ndaj njërit prej kritikëve më të zëshëm të ish-Presidentit Donald Trump, ligjvënësit demokrat Adam Schiff. Këto dy procese e ndihmuan Dhomën e Përfaqësuesve që të rifillonte punën, megjithëse dështoi propozimi për masat ndëshkimore, pasi në ndihmë të ligjvënësit Schiff dolën rreth 20 ligjvënës republikanë.

Megjithatë, zhvillimi më domethënës i javës ishte një njoftim i udhëheqësve republikanë, që u bë pa shumë bujë. Republikanët thanë se synojnë të hartojnë projektligje për kuotat e shpenzimeve të programeve dhe agjencive qeveritare, me shifra më të ulëta nga ç 'ishte rënë dakord në marrëveshjen e arritur me Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar. Marrëveshja arriti të shmangë një situatë mospagimi të borxheve të qeverisë federale të pahasur më parë.

Zoti McCarthy u shpreh se shifrat që ai pati negociuar me Shtëpinë e Bardhë përfaqësonin tavanin, dhe se “ju mund t’i ulni gjithsesi më tej”. Ligjvënësja republikane Kay Granger, e cila drejton Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Buxhetin, nxori në vijim një deklaratë ku thuhet se do të kërkohet kufizimi i shpenzimeve që nuk lidhen me fushën e mbrojtjes në nivelin e shpenzimeve të vitit fiskal 2022, duke thënë se marrëveshja për borxhin “caktoi një maksimum shpenzimesh – një tavan, jo një dysheme”.

Kevin McCarthy

Njoftimi u prit me kënaqësi nga republikanët që kishin kritikuar Kryetarin McCarthy, një ligjvënës republikan nga Kalifornia, dhe që kishin kundërshtuar një marrëveshje për tavanin e borxhit pasi mendonin se një marrëveshje e tillë do të lejonte shpenzime të tepërta. Por, deklarata e fundit u prit menjëherë me kritika nga demokratët që thonë se një përpjekje për të anashkaluar shifrat e përcaktuara në marrëveshjen e arritur për tavanin e borxhit, do të garantonte praktikisht një ngërç mes Senatit dhe Shtëpisë së Bardhë, dhe ndoshta edhe një ndalje të financimit të qeverisë, kur të përfundojë viti i tanishëm fiskal në fund të shtatorit.

“Është prelud për mbylljen e qeverisë – ajo çfarë ata po orkestrojnë”, tha ligjvënësja demokrate Rosa DeLauro, drejtuese e demokratëve në Komisionin për Buxhetin të Dhomës së Përfaqësuesve.

Rosa DeLauro

Dinamikat e reja krijojnë kështu potencialin për një tjetër përplasje në Uashington që mund të trondisë ekonominë, vetëm disa muaj pasi ligjvënësit arritën të shmangin në momentin e fundit mospagimin e borxheve nga qeveria federale.

Mbylljet e pjesshme të qeverisë janë bërë më të zakonshme gjatë kohëve të fundit; më e gjata prej tyre ishte në periudhën e administratës së ish-Presidentit Donald Trump, i cili kërkonte fondet për ngritjen e një muri kufitar mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Me Presidentin Joe Biden që ka përballë një Dhomë të Përfaqësuesve me shumicë republikane ndërsa kandidon për t’u rizgjedhur në vitin 2024 dhe me disa konservatorë që nuk i kushtojnë rëndësi dëmit që mund të shkaktonte një mbyllje e qeverisë, gjasat për një përshkallëzim të përplasjes për shpenzimet qeveritare duken thuajse të sigurta.