Blinken niset drejt Kinës në një udhëtim diplomatik me pritshmëri të larta

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken është nisur drejt Kinës në një udhëtim diplomatik me pritshmëri të larta për uljen e tensioneve të përshkallëzuara mes Pekinit dhe Uashingtonit, që kanë krijuar shqetësim në mbarë botën.

Zoti Blinken është zyrtari më i lartë që viziton Kinën që kur presidenti Joe Biden mori detyrën. Kjo është vizita e parë pas 5 vjetësh në Kinë nga një sekretar amerikan shteti.

Megjithatë, pritshmëritë për ndonjë përparim të rëndësishëm për çështjet shqetësuese me të cilat përballen dy ekonomitë më të mëdha të planetit janë të pakta, pasi marrëdhëniet mes tyre janë tensionuar në vitet e fundit. Mosmarrëveshjet dhe akuzat janë përshkallëzuar në mënyrë të vazhdueshme për një sërë çështjet që kanë pasoja tek siguria dhe qëndrueshmëria globale.

Zoti Blinken mbërrin në Pekin të dielën për bisedime dy ditore. Sipas zyrtarëve amerikanë, ai pritet të takohet me ministrin e Jashtëm , të dielën dhe ndoshta presidentin kinez Xi Jinping të hënën.

Lista e mosmarrëveshjeve dhe pikave të mundshme të konfliktit është e gjatë: duke filluar nga tregtia me Tajvanin, gjendja e të drejtave të njeriut në Kinë dhe në Hong Kong, si dhe rritja e aktivitetit ushtarak kinez në Detin e Kinës Jugore, dhe deri te lufta e Rusisë në Ukrainë. Zyrtarët amerikanë thanë pas nises së zotit Blinken nga Uashingtoni të premten, se ai do të shtronte secilën prej këtyre çështjeve, megjithëse asnjëra palë nuk ka treguar ndonjë prirje për t'u tërhequr nga qëndrimet që kanë.

Presidenti Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping ranë dakord për udhëtimin e zotit Blinken në një takim vitin e kaluar në Bali.

Në shkurt, zoti Blinken anuloi udhëtimin e tij në Pekin pasi një balonë spiune kineze hyri në hapësirën ajrore të SHBA-së.

Që atëherë, SHBA-ja ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të rifilluar dialogun me Pekinin pavarësisht tensioneve.