Në kushtet kur ish-Presidentin Donald Trump paraqitet si kandidati kryesor për të marrë emërimin zyrtar të partisë së tij për president, për zgjedhjet e vitit 2024, shpallja e akuzave për mbajtjen në mënyrë të paligjshme të dokumenteve sekrete pritet të dominojë debatet politike amerikane në muajt e ardhshëm.
Ndërsa demokratët dhe republikanët shprehin pozicionet e tyre të kundërta mbi atë që ka bërë ish-presidenti Trump, çfarë kanë bërë politikanët e tjerë dhe çfarë kërkon ligji, faktet e kësaj çështje ka të ngjarë të bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara.
Më poshtë mund të gjeni një përmbledhje të asaj që dihen mbi këtë çështjen, bazuar në dosjen gjyqësore dhe deklaratat zyrtare.
Arkivi Kombëtar
Akuzat e njoftuara më 8 qershor dolën nga një hetim ndaj ish-presidentit Trump për mbatje të paautorizuar të një sërë dokumentesh sekrete qeveritare pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në janar të vitit 2021, të cilat ai i dërgoi në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago.
Presidenti Trump e bëri këtë pavarësisht nga detyrimi bazuar në Ligjin për të Dhënat Presidenciale, i cili kërkon që presidentët në largim t'i dorëzojnë të gjitha të dhënat tek Administrata Kombëtare e Arkivave.
Duke filluar nga maji 2021, zyrtarët Administratës Kombëtare të Arkivave i kërkuan vazhdimisht ish-presidentit Trump që t'i kthente dokumentet, duke paralajmëruar se ata do ta referonin çështjen në Departamentin e Drejtësisë nëse ai nuk do të përmbushte kërkesat e tyre, thuhet në aktakuzë.
Pas disa muajsh zvarritjeje nga ish-presidenti, përfaqësuesit e tij më në fund kthyen 15 kuti me dokumente në janar të vitit 2022, gati një vit pasi ai ishte larguar nga Shtëpia e Bardhë.
Zyrtarët e Administratës Kombëtare të Arkivave u alarmuan kur zbuluan se kutitë përmbanin 197 dokumente sekrete.
Në shkurt të vitit 2022, Administrata e Kombëtare e Arkivave ia referoi çështjen Departamentit të Drejtësisë.
Më 30 mars 2022, FBI hapi një hetim penal për këtë çështje. Muajin pasues, një juri e madhe federale u mblodh për të analizuar dëshmitë dhe prova të tjera lidhur me këtë çështje.
Kontrolli i FBI-së
Kjo çoi në një hetim dhe përpjekje disa mujore nga Departamenti i Drejtësisë për të rimarrë dokumentet që ende i posedonte ish-presidenti Trump.
Në maj të vitit 2022, juria e madhe i dërgoi një kërkesë ligjori ish-presidentit Trump që ai t'ia dorëzonte të gjitha dokumentet sekrete Departamentit të Drejtësisë.
Zoti Trump në vend të kësaj kërkoi të "pengojë" hetimin dhe "të fshehë" posedimin e tij të dokumenteve të klasifikuara, sipas padisë.
Më 3 qershor 2022, avokatët e ish-presidentit Trump dorëzuan 38 dokumente të tjera sekreta, por fshehja e supozuar i bëri avokatët t'i tregonin Departamentit të Drejtësisë se ishte kryer një "kërkim i kujdesshëm" në Mar-a-Lago dhe nuk kishte mbetur asnjë dokument shtesë brenda shtëpisë.
Ky vërtetim ishte i rremë, thonë prokurorët. Sipas aktakuzës, ish-presidenti Trump e dinte se jo të gjitha dokumentet i ishin kthyer Departamentit të Drejtësisë.
Situata u acarua kur FBI-ja me urdhër gjykate ushtroi një kontroll në Mar-a-Lago më 8 gusht, duke sekuestruar 102 dokumente të tjera sekrete nga zyra e ish-presidentit Trump dhe një dhomë magazinimi në shtëpinë e tij në Florida.
Kontrolli i paprecedentë i shtëpisë së një ish-presidenti bëri që ish-Presidenti Trump dhe aleatët e tij të akuzonin administratën Biden për "shfrytëzimin" e Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së për të ndjekur kundrështarët politikë. Zyrtarët e administratës e mohuan akuzën.
Dokumentet sekrete
Në total, prokurorët kanë marrë më shumë se 300 dokumente qeveritare sekrete nga shtëpia e ish-presidentit Trump.
Aktakuza rendit 37 dokumente që zoti Trump "i mbajti me dashje" dhe nuk ia ktheu qeverisë. Ato ishin përpiluar nga agjenci të ndryshme amerikane të zbulimit dhe sigurisë, duke përfshirë CIA-n, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare dhe FBI-në.
Mosmarrëveshjet mbi çështjen e klasifikimit të dokumenteve
Si president, Donald Trump kishte qasje në të gjitha dokumentet e sekrete të qeverisë. Por pas përfundimit të mandatit të tij, ai nuk ishte i autorizuar t'i zotëronte apo t'i mbante ato, thonë prokurorët.
Për të parë dokumentet e sigurisë kombëtare, ish-presidentët mund të bëjnë një kërkesë, të quajtur "nevoja për të ditur" përmbajtjen e një dokumenti të caktuar sekret. Ish-presidenti Trump nuk e kishte bërë këtë pas largimit nga Shtëpia e Bardhë, thuhet në aktakuzë.
Ish-presidenti Trump ka pretenduar se kishte një "urdhër të përhershëm" për të deklasifikuar të gjitha dokumentet e marra nga Zyra Ovale në Shtëpinë e Bardhë, duke sugjeruar se dokumentet që ai i zotëronte ishin deklasifikuar.
Ndonëse zoti Trump kishte autoritetin të deklasifikonte çdo dokument qeveritar si president, disa ekspertë ligjorë kanë vënë në dyshim pohimin e tij për një urdhër gjithpërfshirës për këtë çështje.
Për më tepër, prokurorët thonë se ish-presidenti e dinte se dokumentet që kishte çuar në Mar-a-Lago ishin sekrete.
Aktakuza citon dy raste gjatë të cilave zoti Trump u tregoi dokumente sekrete individëve të paautorizuar, ndërsa pranoi se ato ishin të klasifikuara.
Hetimi federal
Sipas akpatdisë, ish presidenti Trump ka shkelur shtatë ligje të ndryshme, përfshirë 31 akuza për “mbajtje të qëllimtë” të informacioneve mbi mbrojtjen kombëtare, bazuar në Aktin e Spiunazhit.
Shkelja e çdo parashikimi ligjor të Aktit të Spiunazhit ndëshkohet deri në dhjetë vjet burg.
Akuzat e tjera janë: komplot për pengim të drejtësisë, mos dorëzim dhe fshehje për qëllime korruptuese të një dokumenti ose regjistrimi, fshehje të dokumentave gjatë një hetimi federal dhe mos kallëzim tek FBI-ja dhe juria e madhe të zotërimit të dokumenteve të klasifikuara.
Akuzat për komplot për të penguar drejtësinë dhe fshehje të një dokumenti gjatë nje hetimi federal mund të çojnë në dënim me burg deri në 20 vjet.
Zoti Trump ka deklaruar pafajësinë për të gjitha akuzat.
Rastet e tjera
Për të zbehur legjitimitetin e hetimit, zoti Trump dhe aleatët e tij kanë kritikuar Departamentin e Drejtësisë duket thënë se ky organ ka lejuar zyrtarë të tjerë, si Presidentin Joe Biden dhe ish-nënpresidentin Mike Pence, që të largohen duke mbajtur në mënyrë të paligjshme dokumente të klasifikuara.
Por ekspertët ligjor thonë se rasti i zotit Trump ndryshon nga rastet e tjera. Avokatët e zotit Biden kanë thënë se kanë kthyer menjëherë 16 dokumente të klasifikuara, pasi i gjenën ato në ish zyrën e zotit Biden në Uashington dhe në shtëpinë e tij në Delauer.
Rreth 12 dokumenta të klasifikuara u gjetën në shtëpinë e zotit Pence në Indiana dhe u kthyen në Arkivën Kombëtare.
As zoti Biden dhe as zoti Pence nuk janë akuzuar për mbajtje të qëllimtë të dokumentave apo sepse kanë kundërshtuar kthimin e tyre.
Prokurori i posaçëm, Rober Hur po heton mënyrën e mbajtjes së dokumentave nga zoti Biden.
Por edhe nëse rezulton se zoti Biden ka mbajtur në mënyrë jo të ligjshme dokumentat e klasifikuara, ai me gjasë nuk do të përballet me akuza sepse Departamenti i Drejtësisë prej një kohë të gjatë mban qëndirmin se ndaj një presidenti në detyrë nuk mund të ngrihen akuza, thotë Jordan Strauss, një ish zyrtar i Departamentit të Drejtësisë.
Departamenti i Drejtësisë i tha zotit Pence këtë muaj se hetimet ndaj tij ishin mbyllur dhe se ndaj tij nuk do të ngriheshin akuza.
Fushata presidenciale
John Malcolm, një ish-prokuror federal, tha se asnjë ligj nuk e ndalon zotin Trump të kandidojë për president, edhe nëse ai shpallet fajtor. "Ka pasur njerëz që kanë kandiduar për poste nga qelitë e burgut," tha zoti Malcolm.
Në vitin 2002, ish-përfaqësuesi Jim Traficant kandidoi për t’u rikthyer në Kongres ndërsa ndodhej në burg i dënuar për korrupsion.