Në Shqipëri kryetari i Bashkisë së Kukësit Safet Gjici, dha sot dorëheqjen nga detyra pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje në të cilën ai shfaqej duke kryer marrëdhënie seksuale në zyrën e tij. Menjëherë më pas dhe Qeveria njoftoi se kishte vendosur shkarkimin e tij nga detyra, ndërsa Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit kishte rregjistruar ndërkohë një procedim penal ndaj Gjicit
Your browser doesn’t support HTML5
Një tjetër kryebashkiak socialist, përfshihet në një skandal me sfond seksual. Pas rastit të ish drejtuesit të Bashkisë së Dibrës Shukri Xhelili, i cili 7 vjet më parë, u filmua duke kërkuar favore seksuale në këmbim të një vendi pune, sot në rrjetet sociale qarkulloi videoja e kryetarit të Bashkisë së Kukësit Safet Gjici, teksa kryente marrëdhënie seksuale në zyrën e tij. Ai mori një mandate të ri, në zgjedhjet vendore të 14 majit, si përfqësues i Partisë socialiste. Sipas të dhënave në video, filmimi rezulton të jetë realizuar 10 ditë më parë, rreth orës 16.00.
Reagimi i parë erdhi nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe korrupsionit, kompetencë e së cilës janë dhe veprat penale të funksionarëve të lartë të shtetit. Kjo prokurori bëri të ditur se kishte nisur, me iniciativë të saj, një procedim penal ndaj Gjicit.
Kryebashkiaku i Kukësit, njoftoi më pas, përmes një postimi në Facebook, dorëheqjen si “një detyrim minimal” ndërsa kërkoi ndjesë publike ndaj “kujtdo që ka parë atë material të shëmtuar video”. Në postimin e tij, kryebashkiaku pranon se “prej disa kohësh kam një marrëdhënie intime me vajzën në fjalë”, duke shtuar megjithatë se “nuk ka asnjë justifikim për atë çfarë ka ndodhur, pavarësisht se i rënë në kurth", shkroi ai. Ndonëse përballë një rasti flagrant, kryetari i Bashkisë, u përpoq t’i japë edhe kësaj ngjarjeje, ngjyrime politike, duke fajësuar kundërshtarët e vet gjatë fushatës së fundit zgjedhore.
Më vonë, qeveria, në përfundim të mbledhjes së saj, njoftoi, përmes ministres së Financave Delina Ibrahimaj, se kishte vendosur shkarkimin e Gjicit nga detyra, pavarësisht njoftimit të këtij të fundit për dorëheqje.
Prokuroria e posaçme ka bërë të ditur se do të kërkojë shoqërimin e Gjicit për ta marrë në pyetje. Hetimet e saj pritet të ndriçojnë dhe rolin e gruas së përfshirë në marrëdhënien me Gjicin, e cila dyshohet të jetë dhe autorja e filmimit. Në vitin 2016, ish kryebashkiaku i Dibrës, Xhelili, u arrestua dhe u dënua më pas me 2 vjet e 8 muaj burgim nën akuzën e “korrupsionit pasiv”.