Ballkanit Perëndimor rruga e dytë më aktive për kalimin e refugjatëve në Europë

  • Raimond Kola

Frontex

Gjatë periudhës janar-maj, linja e Ballkanit Perëndimor, mbetet rruga e dytë më aktive për kalimin e migrantëve të parregullt në Europë.

Sipas Raportit të Agjencisë Evropiane të Ruajtjes së Kufijve, Frontex, publikuar të premten mbi 30700 migrantë janë evidentuar në vendet e Ballkanit Perëndimo, përfshirë Shqipërinë, në synimin për të kaluar drejt kufijve europianë.

Sipas Frontex-it të dhënat flasin për një rënie me 25% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Këtë vit, Mesdheu Qendror mbetet rruga më aktive e migrantëve të parregullt ku janë evidentuar më shumë se 50300 raste nga janari në maj. Kjo rrugë përbënte gati gjysmën e hyrjeve të parregullta në Bashkimin Evropian në vitin 2023.

Mbërritjet e migrantëve të parregullt në rrugën e Mesdheut Qendror çuan një rritje prej 12% të të gjitha hyrjeve në Bashkimin Evropian , pasi mbërritjet në të gjitha rrugët e tjera migratore shënuan rënie që varionte nga 6% në Mesdheun Perëndimor deri në 47% në rrugën e Afrikës Perëndimore.

“Rënia në këto rrugë kalimi të migrantëve të parregullt lidhej kryesisht me periudha të gjata kushtesh të këqija atmosferike, gjë që i bënte edhe më të rrezikshme udhëtimet me varkat e palundrueshme. Megjithatë, presioni migrator në rajon mbetet i lartë dhe mund të presim një rritje të aktivitetit të kontrabandistëve në rajon në muajt në vijim “, vlerëson raporti.

Frontex-i tha se më shumë se 2700 oficerë të trupave këmbësore dhe staf janë të përfshirë në operacione të ndryshme që mbështesin shtetet anëtare dhe vendet fqinje në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian dhe luftimin e krimit.

Siaps Frontex-it në pesë muajt e parë të vitit, numri i kalimeve të parregullta në kufijtë e jashtëm të BE-së arriti në 102,000, 12% më shumë se një vit më parë, sipas përllogaritjeve paraprake.

Mesdheu Qendror mbetet rruga kryesore e migrimit në Bashkimin Evropian ku në pesë muajt e parë të ketij viti, numri i evidentimeve është më shumë se dyfishuar (160%) krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 dhe është numri më i lartë i migrantëve të parregullt të regjistruar që nga viti 2017.

Të paktën 79 persona humbën jetën dhe më shumë se 104 u shpëtuan pasi një anije e mbushur me emigrantë, u fundos në brigjet e Greqisë jugore.

Qeveria greke tha se ngjarja përbënte një nga tragjeditë më të rënda me emigrantë në Greqi dhe shpalli tre ditë zie.

Anija u fundos rreth 80 km në jug-perëndim të Pylos, ndërkohë që sipas rojës bregdetare greke ekuipazhi i anijes së tejmbushur me emigrantë kishte refuzuar ndihmën.