Të paktën 15 të vrarë në një aksident rrugor në Kanada

CANADA-CRASH/

Policia kanadeze tha se një autobus që po dërgonte një grup njerëzish të moshës madhore në një kazino u përplas me një kamion në një kryqëzim autostrade në një pjesë rurale të provincës Manitoba të enjten, duke vrarë 15 persona dhe duke plagosur 10 të tjerë.

Rob Hill, Komandant i Policisë në Manitoba, tha se autobusi po transportonte 25 persona dhe autoritetet në Manitoba dërguan të gjitha burimet e tyre në vendngjarje. Kanalet televezive në Kanada transmetuan pamjet e një autobusi që po digjej në një kanal pranë një kamioni të dëmtuar në një autostradë në provincën Manitoba. Aksidenti ndodhi në Carberry, një qytet rreth 170 kilometra në perëndim të kryeqytetit të provincës Manitoba, Winnipeg.

“Lajmi nga Carberry është shumë tragjik. Ngushëllime për ata që kanë humbur të afërmit e tyre sot”, tha Kryeministri i Kanadasë, Justin Trideau përmes një postimi në Twitter.

Një qendër për të ofruar mbështetje për familjet e viktimave është hapur në Kishën Luterane në Dauphin. Policia tha se udhëtarët në autobusin që ishte përplasur me një kamion të madh ishin nga qyteti Dauphin dhe zonat përreth tij.

Flamujt në ndërtesën e parlamentit të provincës Manitoba janë ulur në gjysmështizë.