Blinken vizitë në Pekin në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, niset të premten në Kinë, një udhëtim që u anulua në muajin shkurt, pasi një balonë kineze e dyshuar për spiunazh, fluturoi mbi territorin e Shteteve të Bashkuara. Por pritshmëritë janë të ulta lidhur me mundësinë se vizita e zotit Blinken të përmirësojë marrëdhëniet e tensionuara midis dy vendeve.

Sekretari Blinken është kryediplomati i parë amerikan që viziton Pekinin që nga viti 2018. Mbrëmjen e së martës zoti Blinken zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Jashtëm të Kinës, Qin Gang.

Përmes një shkrimi në rrjetin Twitter, kryediplomati Blinken tha se ai dhe homologu Qin “diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për të mbajtur të hapura linjat e komunikimit, si dhe për çështje dypalëshe dhe globale”.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha në një deklaratë se zoti Blinken ia bëri të qartë homologut kinez se Uashingtoni do të vazhdojë të angazhohet në rrugë diplomatike për të trajtuar shqetësimet si dhe fushat e bashkëpunimit të mundshëm.

Diplomacia kineze u shpreh përmes një deklarate se zoti Qin i tha homologut Blinken se Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës dhe minimin e sigurisë dhe interesave të zhvillimit të Kinës. Ministria kineze tha gjithashtu se shpresonte që Shtetet e Bashkuara të bashkëpunojnë me Kinën për të menaxhuar dallimet dhe për të nxitur bashkëpunimin.

Udhëtimi i zotit Blinken, i planifikuar fillimisht në fillim të vitit, u anulua për shkak të çështjes së balonave dhe kundërshtimit të Kinës ndaj mbështetjes së Uashingtonit për Tajvanin. Pekini tha se balona ishte një "mjet ajror civil" i përdorur kryesisht për qëllime "meteorologjike".

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se është në interes të të dy vendeve që t’i mbajnë të hapura linjat e komunikimi. Pentagoni gjithashtu dëshiron që Pekini të mbajë të hapur një linjë telefonike ushtarake në mënyrë që gjeneralët të mund të bisedojnë në rast incidentesh, si rasti i fundit kur një anije kineze i preu rrugën një anije amerikane në ngushticën e Tajvanit. Hulumtuesit thonë se pavarësisht tensioneve, të dy qeveritë po përpiqen të organizojnë një takim të nivelit të lartë nga fundi i vitit.