Grupi muzikor Beatles nxjerr albumin “e fundit”; e mundësoi inteligjenca artificiale

Paul McCartney

LONDËR – Inteligjenca artificiale u përdor për të formuar zërin e John Lennon-it bazuar tek një regjistrim i vjetër, për të krijuar “albumin përfundimtar të Beatles-ave” disa dekada pas shpërbërjes së grupit muzikor, njoftoi të martën Paul McCartney.

80-vjeçari McCartney i tha radios BBC se inteligjenca artificiale u përdor për të veçuar zërat nga tingujt e tjerë në regjistrimet gjatë prodhimit të serialit dokumentar të vitit 2021 të regjizorit Peter Jackson, të titulluar “Beatles-at: Rikthimi”. Kënga “e re” pritet të qarkullohet më vonë këtë vit, tha zoti McCartney.

Zoti Jackson “arriti të veçojë zërin e John-it nëpërmjet disa shiritash kasetash dhe një pianoje”, i tha radios BBC zoti McCartney. “Ai mundi t’i ndante nëpërmjet inteligjencës artificiale; i thoshte makinerisë se ‘ky është një zë, kjo është një kitarë, hiqe kitarën’.”

“Pra, kur prodhuam atë që do të ishte albumi i fundit i Beatles-ave, ishte nga një provë për të cilën punonte John-i”, shtoi ai. “Arritëm të marrim zërin e John-it dhe ta pastrojmë nëpërmjet inteligjencës artificiale, që ta përdornim në vazhdim për krijimin e albumit. Të jep një lloj lirie veprimi”.

Zoti McCartney nuk identifikoi me emër regjistrimin provë që u përdor, por BBC-ja dhe të tjerë thanë se ka të ngjarë të jetë nga një këngë e papërfunduar dashurie e vitit 1978 nga zoti Lennon, e titulluar “Tani dhe atëherë”. Prova muzikore ishte përfshirë në një kasetë të titulluar ‘Për Paul-in”, që zotit McCartney ja dha e veja e zotit Lennon, Yoko Ono, raportoi radioja BBC.

Zoti McCartney e përshkroi teknologjinë e inteligjencës artificiale “disi të frikshme, por interesante”, duke shtuar se “Do të shohim se ku do të na çojë”.

E njëjta teknologji i mundësoi zotit McCartney të bënte një “duet” virtual me zotin Lennon, i cili u vra në vitin 1980, me këngën “Kam një ndjesi” vitin e kaluar në Festivalin në Galstonbury.

Kantautori dhe këngëtari McCartney pritet të çelë një ekspozitë më vonë këtë muaj tek Galeria Kombëtare e Portreteve në Londër me fotografi që do të shfaqen për herë të parë, të marra prej tij gjatë ditëve të hershme të grupit Beatles në fillimet e valës së mbiquajtur “Beatlemania”, kur ndjekësit e shumtë e ngritën këtë bandë muzikore në nivelin e famës botërore.

Ekspozita, e quajtur “Sytë e furtunës”, do të ketë mbi 250 fotografi që zoti McCartney bëri me kameran e tij në periudhën 1963-1964, ndër to edhe portrete të pjesëtarëve të grupit: Ringo Starr, George Harrison dhe John Lennon, si dhe të menaxherit të grupit Beatles, Brian Epstein.