Sulm i përgjakshëm me raketa ruse ndaj qytetit Kryvyi Rih 

Russia Ukraine War

Si pasojë e një sulmi me raketa ruse ndaj Kryvyi Rih-ut, një qytet në pjesën qendrore të Ukrainës u vranë të paktën 10 persona dhe u plagosën 25 të tjerë. Lajmi u njoftua të martën nga Guvernatori i rajonit të Dnipropetrovskut Serhiy Lysak, i cili tha se Rusia shkatërroi një ndërtesë banimi pesëkatëshe.

Kryvyi Rih është vendlindja e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Në një postim në rrjetin ‘Telegram’ zoti Zelenskyy shkruante: vrasësit rusë vazhdojnë të godasin ndërtesat e banimit, qytetet e njerëzit e zakonshëm. Terroristët nuk do të falen kurrë dhe ata do të mbajnë përgjegjësi për çdo raketë që lëshojnë”.

Sulmi ndaj Kryvyi Rih-it ishte pjesë e një sulmi më të gjerë ajror rus, që kishte në shënjestër gjithashtu edhe kryeqytetin ukrainas, Kievin, si dhe qytetin e Kharkivit.

Ushtria e Ukrainës njoftoi se kishte rrëzuar 10 nga 14 raketat me vetëdrejtim të lëshuara nga Rusia, si dhe një nga katër dronët, prodhim iranian, që po përdoren nga forcat ruse.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha të martën se forcat e saj kishin kapur disa tanke gjermane ‘Leopard’, si dhe automjete luftarake amerikane ‘Bradley’ në Ukrainën jugore. Rusia i quajti ato ‘trofe’ dhe tha se i kishte gjetur në zonën e Zaporizhias, pas largimit të trupave ukrainase.

Kundërsulmi ukrainas

Ukraina njoftoi të hënën se që nga nisja e kundërofensivës javën e kaluar, kishte arritur të çlironin shtatë fshatra.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken shprehu besimin të hënën se Ukraina do të "vazhdojë të shënojë sukses në përpjekjet e saj për të rimarrë kontrollin e territorit të pushtuar nga Rusia".

Zoti Blinken u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara do të "vazhdojnë të rrisin mbështetjen në terma afatshkurtër dhe afatgjatë për të ndihmuar Ukrainën, që të ndalë pushtimin e territoreve nga Rusia në të ardhmen”.

Zoti Blinken tha gjithashtu se Presidenti Putin ka shënuar një dështim strategjik në raport me objektivin e deklaruar nga vetë ai lidhur me Ukrainën. Ai tha se zoti Putin synonte ta fshinte Ukrainën nga harta, ta eliminonte atë dhe në një mënyrë a tjetër ta përfshinte brenda Rusisë, objektiv i cili ka dështuar, sikurse tha ai.