Nga të dhënat e mbledhura për paragjykimet ndaj grave nuk tregohet të ketë përparime gjatë dekadës së fundit. Në një raport të OKB-së të publikuar të hënën thuhet se paragjykimet vazhdojnë të jenë “të rrënjosura thellë” në shoqëri, megjithë fushatat për të drejtat e grave, si lëvizja MeToo.
Si ndër burrat, ashtu edhe ndër gratë, “normat sociale të paragjykimit gjinor mbizotërojnë në mbarë botën: pothuajse 90% e njerëzve kanë të paktën një paragjykim”, nga shtatë llojet e paragjykimeve që u analizuan nga Programi për Zhvillimin i Kombeve të Bashkuara (UNDP).
Këto paragjykime “janë gjerësisht të përhapura ndër burrat dhe gratë, duke sugjeruar kështu se janë të rrënjosura thellë dhe se ndikojnë tek burrat dhe gratë në nivele të ngjashme”, thotë raporti.
Agjencia e OKB-së ka përditësuar Indeksin e saj për Normat Sociale Gjinore – që mbledh të dhëna politike, ekonomike, për arsimin dhe integritetin fizik – të bazuara tek Anketimi i Vlerave Botërore, një projekt ndërkombëtar që studion se si po ndryshojnë vlerat dhe opinionet në mbarë botën.
Indeksi tregon se, “nuk ka përmirësim në paragjykimet ndaj grave në një dekadë”, tha UNDP-ja, “megjithë fushatat e fuqishme globale dhe lokale për të drejtat e grave”, si p.sh. MeToo.
69% e popullsisë së botës ende mendon se burrat bëhen udhëheqës më të mirë politikë se gratë, dhe vetëm 27% besojnë se është thelbësore për demokracinë që gratë të kenë të njëjtat të drejta si burrat.
Gati gjysma e popullsisë (46%) mendon se burrave u takon më shumë të kenë një vend pune, dhe 43% thonë se burrat bëhen drejtues më të mirë në sipërmarrje.
Një e katërta e popullsisë mendon se është e justifikuar që burri të rrahë gruan, dhe 28% besojnë se universiteti është më i rëndësishëm për burrat.
Paragjykimet krijojnë pengesa për gratë dhe janë manifestuar tek hapat pas për të drejtat e grave në shumë pjesë të botës, thotë raporti.
“Pa trajtuar normat sociale për paragjykimin gjinor, nuk do të arrijmë barazinë gjinore apo Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, thuhet në raport.
Mungesa e përparimeve për paragjykimet gjinore njoftohet ndërsa OKB-ja gjithashtu po raporton për një rënie të përgjithshme të parametrave të zhvillimit njerëzor, e lidhur kjo në veçanti me pandeminë e COVID-19ës.
“Normat sociale që dëmtojnë të drejtat e grave janë tepër të dëmshme për shoqërinë më të gjerë, duke ngadalësuar kështu rritjen e zhvillimit njerëzor”, u shpreh në një deklaratë Pedro Conceicao, drejtor i Zyrës së UNDP-së për Raportin e Zhvillimit Njerëzor.
“Të gjithë përfitojnë nga garantimi i lirisë dhe statusit të grave”, tha ai.