Një sulmues goditi me thikë katër fëmijë dhe dy të rritur në një park buzë liqenit në alpet franceze të enjten në mëngjes, në një sulm që presidenti francez Emmanuel Macron tha se ka tronditur vendin.
Të katër fëmijët pësuan plagë të rrezikshme për jetën, tha prokurorja kryesore Line Bonnet-Mathis. Më i vogli është 22 muajsh, dy janë 2 vjeç dhe më i madhi 3, tha prokuroria.
Sulmi ndodhi në qytetin juglindor të Francës, Annecy.
Policia arrestoi shpejt të dyshuarin - një shtetas sirian 31-vjeçar. Kryeministrja franceze Elisabeth Borne tha se i dyshuari ka statusin e refugjatit në Suedi.
“Kombi është në tronditur”, shkroi presidenti Macron në Twitter. Ai e cilësoi incidentin si një "sulm absolutisht frikacak".
“Fëmijët dhe një i rritur janë mes jetës dhe vdekjes”, tha gjithashtu presidenti francez.
Një video që duket se tregon sulmin është shpërndarë në mediat sociale. Në video, një burrë me syze të errëta, me një shall blu që mbulonte kokën, mbante një thikë ndërsa njerëzit bërtisnin për ndihmë.
Një grua u përpoq të shmangte sulmuesin në parkun e mbyllur të lojërave, por ajo nuk mundi ta ndalonte atë të përkulej mbi karrocën e saj dhe të godiste disa herë me thikë poshtë.
Dy nga viktimat e reja ishin turistë. Njëri është britanik dhe kombësia e tjetrit nuk u bë e ditur menjëherë.
Plagë me thikë kanë pësuar edhe dy të rritur. Një nga të rriturit u plagos gjithashtu nga një e shtënë nga policia teksa po arrestonin të dyshuarin, tha Bonnet-Mathis.
“Sapo dëgjova sirenat dhe pashë policinë duke vrapuar, e kuptova se diçka e tmerrshme po ndodhte. Jam ne shok. Është një park ku i nxjerrin fëmijët për të ecur”, tha Eleanor Vincent, një autore amerikane që po pushon në Annecy.
“Si prind që ka humbur një fëmijë, e di se çfarë po përjetojnë këta prindër. Është një tmerr përtej besimit”, tha Eleanor Vincent për Associated Press.
Në Paris, deputetët ndërprenë një debat për të mbajtur një moment heshtje për viktimat.
Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Yaël Braun-Pivet, tha: "Ka disa fëmijë shumë të vegjël që janë në gjendje kritike, dhe ju ftoj të mbani një minutë heshtje për ta, për familjet e tyre. Shpresojmë që pasojat e këtij sulmi shumë të rëndë nuk do të çojnë në pikëllimin e kombit”.
"Asgjë më e neveritshme sesa të sulmosh fëmijët," shkroi Braun-Pivet në Twitter.