Insektet dhe fluturat gjejnë strehim në muzeun e Nju Jorkut

Në fillim të majit u hap zyrtarisht për publikun një objekt i ri i Muzeut Amerikan të Historisë Natyrore në qytetin e Nju Jorkut. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Yvgeny Maslov hapësira përmban galeri të reja përfshirë ekspozita koleksionesh të insekteve dhe fluturave.

Your browser doesn’t support HTML5

Insektet dhe fluturat gjejnë strehim në muzeun e Nju Jorkut

Në Manhatan, një ndërtesë e re e Muzeut Amerikan të Historisë Natyrore u hap zyrtarisht për publikun në fillim të majit, me një stil futurist, galeri ultra-moderne, një pavjon interaktiv dhe një bibliotekë të madhe me ekspozita të rralla. Rreth katër milionë objekte dhe ekzemplarë do të gjejnë strehim atje, disa prej të cilave do të shfaqen për herë të parë.

Hapësira e quajtur ‘Qendra Richard Gilder për Shkencë, Edukim dhe Inovacion’, kushtoi 465 milionë dollarë për t'u ndërtuar.

“Kjo ndërtesë jo vetëm që i shton hapësirë muzeut, por përmirëson qarkullimin dhe rrjedhën mes ekspozitave, me kampusin ekzistues që ofron mekanizma më të lehtë për të kaluar nga ekspozitat në objektin e vjetër dhe ekspozitave në ndërtesën e re”, tha Presidenti i Muzeut Amerikan të Historisë Natyrore, Sean Decatur.

Qendra Gilder lidh dhjetë hapësirat e tjera të muzeut që zënë rreth katër rrugë të qytetit gjithsej.

Arkitektja e projektit Jeanne Gang thotë se brendësia e ndërtesës ka për qëllim t'u kujtojë vizitorëve kanionet dhe shpellat. Ideja pas dizajnit ishte të ilustronte se si gjërat janë të ndërlidhura në natyrë dhe se si një pjesë e saj frymëzon të gjithë pjesët e tjera.

“Kur fillova ta projektoja, po mendoja se çfarë peizazhi të bën vërtetë kurioz, të bën të duash të hulumtosh. Të shkon mendja tek të gjitha aventurat e mëparshme kur ke vizituar kanione dhe ke zbuluar formacione gjeologjike. Unë i studiova ato për të parë se çfarë ngjall kuriozitet…”, thotë Jeanne Gang, arkitekte e projektit.

Një nga koleksionet në hapësirën e re i dedikohet insekteve. Kjo hapësirë e re përmban një model të një zgjoje bletësh dhe një koloni të gjallë të milingonave tropikale që presin gjethet. Vizitorët mund t'i shikojnë ato pas xhamit. Muzeu ka gjithashtu hapësirën e re me një klimë të lagësht tropikale që strehon 80 lloje fluturash.

Një nga katet e fundit të muzeut i kushtohet kafshëve të detit, dhe një tjetër ka laboratorë të veçantë ku vizitorët mund të shikojnë punën e personelit të muzeut me ekzemplarë.

Në katin e katërt është vendosur një bibliotekë e madhe me një koleksion librash të rrallë dhe vizitorët mund të kalojnë pak kohë të qetë në një dhomë leximi.

Ky është një investim monumental që flet për rëndësinë e të mësuarit dhe edukimit të tjerëve për botën tonë natyrore.