Koreja e Jugut aktivizoi avionët e saj luftarakë pasi avionë ushtarakë kinezë dhe rusë u futën në zonën e saj të mbrojtjes ajrore, në jug dhe në lindje të Gadishullit Korean. Ky incident vjen pas shkëmbimeve të mëparshme mes forcave amerikane dhe kineze në Ngushticën e Tajvanit dhe Detin e Kinës Jugore. Administrata e Presidentit Biden thotë se këto fërkime janë shembull i shtimit të agresivitetit të ushtrisë kineze. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim tensioneve në rritje midis fuqive globale në Indo-Paqësor.
Your browser doesn’t support HTML5
Të paktën dy incidente ballafaqimesh në distanca të shkurtra mes anijeve dhe avionëve kinezë dhe amerikanë në më pak se dy javë, përfshirë këtë luftanije kineze të dielën që i preu rrugën një destrojeri amerikan në Ngushticën e Tajvanit.
Incidenti përkon me stërvitjet detare trepalëshe në Detin e Kinës Jugore midis rojeve bregdetare të SHBA-së, Japonisë dhe Filipineve.
“SHBA-ja provokoi e para dhe pala kineze u përgjigj duke e trajtuar incidentit në përputhje me ligjet dhe rregulloret përkatëse”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin.
“Meqenëse ju e keni shpërfillur paralajmërimin tonë, ne do të marrim të gjitha masat e nevojshme ndaj jush”, paralajmëron anija luftarake kineze një anije filipinase.
Ballafaqimet mes anijeve kineze dhe të vendeve të tjera, si Filipinet, janë shtuar vitet e fundit, po ashtu edhe aktiviteti ushtarak i Pekinit në rajon.
SHBA-të gjithashtu po adoptojnë një qasje më të fuqishme, duke shtuar stëvitjet me aleatët në rajon. Pekini i konsideron provokime, duke çuar në më shumë incidente që lehtësisht mund të përshkallëzohen në konflikt.
“Është pjesë e një norme të re dhe shqetësuese, veçanërisht duke patur parasysh faktin se ka një komunikim të kufizuar midis zyrtarëve të lartë të mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës”, thotë për Zërin e Amerikës Zuri Linetsky, hulumtues me “Eurasia Group Foundation”
Shtëpia e Bardhë mohon se është pjesërisht fajtore dhe thotë se po përpiqet të bisedojë me Pekinin.
“Ne po punojmë shumë për këtë, dhe presidenti është i bindur se Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të jenë në gjendje të kthehen tek fryma e takimit të Balit”, thotë John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Në takimin vjetor të Dialogut Shangri-la në Singapor javën e kaluar, Pekini refuzoi kërkesën e Uashingtonit për një takim ballë për ballë mes Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin dhe homologut të tij kinez Li Shangfu, për shkak të sanksioneve ndaj zotit Li, të cilat administrata amerikane nuk i ka hequr.
Zyrtarët po punojnë për të riprogramuar vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në Pekin të anuluar nga Uashingtoni pasi rrëzoi një balonë spiune kineze në muajin janar.