PD zyrtare hap zgjedhjet për kryetarin mes polemikash të forta

Jorida Tabaku, pas mbledhjes së kryesisë së PD

Në Shqipëri, Partia Demokratike, ajo pjesë e cila kundërshton lidershipin e ish kryeministrit Sali Berisha dhe që e përfaqëson zyrtarisht këtë forcë politike, ka vendosur të hapë procesin për zgjedhjen e kryetarit të saj, 15 muaj pas dorëheqjes së ish drejtuesit të saj Lulzim Basha.Vendimi u mor në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, gjatë një mbledhjeje të gjatë të kryesisë, e karakterizuar nga polemika të forta. Ndërsa 17 anëtarë votuan në favor të hapjes së garës për kryetarin e partisë, një numër i konsiderueshëm nuk e mbështeti këtë lëvizje: 2 votuan kundër, 3 të tjerë abstenuan, dhe 7 anëtarë nuk morën pjesë në votim, mes të cilëve dhe Sekretari i Përgjithshëm dhe kryetari i grupit parlamentar Gazmend Bardhi.

Sipas vendimit, procesi i votimit duhet të realizohet më 29 korrik, ndërkohë që kandidatët duhet të rregjistrohen brenda 20 qershorit dhe 4 ditë më pas hapet fushata zgjedhore. Paralelisht, deri më 13 korrik do të duhet të bëhet evidentimi i anëtarësisë, një proces që nuk duket i lehtë, në kushtet kur prej më shumë se 1 viti e gjysëm, demokratët jane përfshirë në një luftë të brendshme shumë të ashpër.

Ky hap i Kryesisë, duket se çel rrugën e rikthimit në krye të PD-së të zotit Basha, i cili prej gati dy javësh ka nisur një tur takimesh në të gjithë vendin duke prezatuar atë që e quan “një platformë për ndryshim”.

Lexoni edhe këtë Shqipëri, rishfaqet Basha me “platformën për ndryshim”

Qëndrimi i kryesisë, ishte tërësisht i kundërt me atë që mbajti dy ditë më parë grupi parlamentar sipas të cilit, ishte i nevojshëm një riorganizim i partisë me tre hapa, duke nisur fillimisht me certifikimin e anëtarësisë, më pas me nisjen e procesit të zgjedhjeve nga seksionet te degët e në fund me zgjedhjen e kryetarit. Sipas deklaratës së grupit parlamentar duhej shmangur “një proces organizimi i nxituar, i njanshëm, që nxit përçarjen dhe thellon ndasitë brenda Partisë Demokratike”.

Këtë qëndrim mbrojti në mbledhjen e kryesisë dhe nënkryetarja Jorida Tabaku, e cila propozoi dhe “ngritjen e një grupi drejtues me 3 persona me eksperiencë të cilët do të çojnë Partinë Demokratike në zgjedhje nga poshtë-lartë”. Pas mbledhjes së kryesisë, zonja Tabaku njoftoi dorëheqjen si nënkryetare, duke deklaruar se “në kushtet që jemi ne nuk kemi luksin të përsërsim të njëjtat gabime. Pyetja që sot duhet t’i bëjmë vetes është nëse duam një parti të kryetarit apo kryetar për partinë tonë? Ne duhet patjetër të hapim PD, duhet të përpiqemi mos bëjmë procese të njënashme, duhet të përfshijmë këdo”.

Pas dorëheqjes së zonjës Tabaku nga pozicioni drejtues, sot dy anëtarë të tjerë të kryesisë, bën të ditur tërheqjen nga ky organizëm i lartë i partisë.

Tensionet në mbledhjen e kryesisë u pasuan dhe nga presione dhe sulme fyese që disa nga anëtarët pësuan nga grupe militantësh janë zyrave ku u zhvillua mbledhja. Për ngjarjen reagoi gjatë ditës Sekretari i përgjithshëm, Bardhi, sipas të cilit “dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD që mendojnë ndryshe, nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD”, shkroi zoti Bardhi në një postim në Twitter.