Rikthehen në funksionim të plotë disa programe të kompanisë Microsoft

Mijëra përdorues të programit të emailave “Microsoft Outlook” raportuan probleme në qasje dhe përdorimin e platformës së emailit të hënën në mëngjes.

Rreth orës 11 të mëngjesit u shtuan raportimet për ndërprerje dhe mosfunksionim të programit “Microsoft 365”, sipas rrjetit “Downdetector” që gjurmon problemet në interet.

Problemet në sistem duket se kanë filluar të eleminohen. Përdoruesit shprehën në rrjetet sociale shqetësimet dhe problemet me programin “Outlook”, me disa që u shprehën se nuk kishin fare qasje në programin e emailave.

Kompania Microsoft tha përmes një postimi në rrjetin Twitter se po “hetonte një problem lidhur me qasjen në programin Outlook në internet”, duke shtuar se probleme janë njoftuar edhe në programet “Microsoft Teams”, “SharePoint Online” dhe “OneDrive for Biznes”.

Microsofti anuloi disa përditësime në rrjet, çka duket se bëri që programet të funksiononin më mirë dhe të rikuperohej sherbimi i prekur.

Në një deklaratë dërguar agjencisë së lajmeve “Associated Press” të hënën pasdite, kompania Microsoft tha se kishte zgjidhur një problem që i pengonte përdoruesit të kishin qasje në disa nga shërbimet e ofruara.