Shefat e Mbrojtjes të SHBA-së dhe Kinës akuzojnë njëri-tjetrin për rritjen e tensioneve në Tajvan

  • Arash Arabasadi

Asia Defense

Udhëheqësit më të lartë ushtarakë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina morën pjesë në Dialogun Shangri-La gjatë fundjavës në Singapor duke akuzuar njëri-tjetrin për rritjen e tensioneve në ngushticën e Tajvanit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, retorika e shtuar vjen pas manovrave stërvitore gjithnjë e më të tensionuara në rajon.

Your browser doesn’t support HTML5

Shefat e Mbrojtjes të SHBA-së dhe Kinës akuzojnë njëri-tjetrin për rritjen e tensioneve në Tajvan

Në fillim, ishte një avion luftarak kinez që kreu një manovër në ajër mbi Detin e Kinës Jugore në fund të muajit të kaluar duke tronditur një avion amerikan zbulimi, në një lëvizje që Shtetet e Bashkuara e quajtën " agresive dhe të panevojshme".

Disa ditë më vonë, në ngushticën e Tajvanit, që ndan Tajvanin nga Azia kontinentale, një destrojer kinez kreu një manovër duke u afruar pranë një luftanijeje amerikane.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Llyod Austin e quajti këtë veprim "të papërgjegjshëm" ndërsa Marina amerikane e quajti atë "të pasigurt".

Këto incidente, kishin krijuar kushtet për një luftë fjalësh midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në Dialogun Shangri-La të këtij viti në Singapor. Takimi është një mbledhje vjetore e ushtrive botërore dhe një platformë për të krijuar lidhje dhe ide për uljen e përshkallëzimeve.

Në vend të kësaj, krerët ushtarakë të të dy vendeve shkëmbyen fjalë për ngjarjet e fundit në Detin e Kinës Jugore.

“Republika Popullore e Kinës vazhdon të kryejë një numër alarmues përgjimesh të rrezikshme të avionëve amerikanë dhe të aleatëve që fluturojnë ligjërisht në hapësirën ajrore ndërkombëtare. Ne do të mbështesim aleatët dhe partnerët tanë ndërsa ata mbrojnë veten kundër detyrimit dhe bullizmit. Për të qenë të qartë, ne nuk kërkojmë konflikt apo konfrontim”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

“Për të shmangur vërtet këto incidente… mënyra më e mirë është që vendet – veçanërisht anijet detare dhe avionët luftarakë të këtyre vendeve – të mos ndërmarrin veprime pranë hapësirave detare territoriale dhe ajrore të vendeve të tjera. Për ta thënë qartë: shikoni punën tuaj dhe kujdesuni për njerëzit tuaj”, tha Li Shangfu, ministër i Mbrojtjes i Republikës Popullore të Kinës.

Chinese Defense Minister Gen. Li Shangfu delivers a speech on the last day of the 20th International Institute for Strategic Studies (IISS) Shangri-La Dialogue, Asia's annual defense and security forum, in Singapore, June 4, 2023.

Zoti Li kishte refuzuar kërkesat e sekretarit Austin për t'u takuar.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes i Kinës në thelb u tha Shteteve të Bashkuara të shihnin punët e veta, ishte Kina në fillim të këtij viti ajo që dërgoi një tullumbace spiunazhi nëpër Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, duke mbledhur informacione, ndër të tjera, mbi zonat ushtarake amerikane.

Ligjvënësit thonë se Kina ka shkuar shumë larg.

“Ka një lloj ndjenje lejueshmërie. Mendoj se administrata Biden duhet të veprojë dhe ta bëjë të qartë se Kina e ka identifikuar veten si një kundërshtar dhe duhet trajtuar si e tillë."

Pekini për vite me radhë ka kundërshtuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Tajvanin, duke shprehur publikisht mospajtim me ligjvënësit amerikanë që takojnë udhëheqësit e ishullit, siç bëri kohët e fundit kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy në Kaliforni.

Departamenti Amerikan i Shtetit e quan Tajvanin një partner kyç në rajon. Kina e sheh ishullin vetëqeverisës si një provincë renegate.