Thirrje administratës së Presidentit Biden të mbështesë krijimin e një gjykate të OKB-së për agresionin rus

Senatori Tim Kaine, majtas, dhe Senatori Ben Cardin, djathtas

Dy senatorë demokratë me peshë po i bëjnë thirrje administratës së Presidentit Joe Biden që të ndryshojë qëndrim dhe të mbështesë krijimin e një gjykate të posaçme të OKB-së për të vënë para përgjegjësisë udhëheqësit rusë për sulmin ndaj Ukrainës që filloi në vitin 2022.

Të mërkurën, Senatorët demokratë Ben Cardin dhe Tim Kaine, dy anëtarë të rëndësishëm të Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, paraqitën një projekt-rezolutë ku i bëhet thirrje administratës “të përdorë zërin e saj dhe të votojë në institucionet ndërkombëtare në mbështetje të krijimit të një gjykate të posaçme ndërkombëtare penale për të mbajtur përgjegjës udhëheqësit e Federatës Ruse që drejtuan dhe urdhëruan agresionin në Ukrainë”.

Një trajtim i ndryshëm

Krimi i agresionit – i përkufizuar si “planifikimi, përgatitja, fillimi apo ekzekutimi” i një akti agresioni, siç është sulmi i armatosur – është veçmas nga krimet e luftës, krimet ndaj njerëzimit apo gjenocidit.

Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) mund të hetojë për këto lloje të tjera krimesh, por jo krimin e agresionit. Juridiksioni i saj për këto krime shtrihet vetëm në vendet që kanë ratifikuar Statutin e Romës në bazë të të cilit u themelua kjo gjykatë. Rusia, ashtu si Shtetet e Bashkuara, nuk është palë e këtij traktati.

Në hyrje të Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, Holandë

Për këtë arsye, Ukraina dhe aleatët kanë kërkuar një mekanizëm alternativ për t’i mbajtur përgjegjës udhëheqësit rusë.

Në muajin mars, administrata e Presidentit Biden propozoi krijimin e një “gjykate të ndërkombëtarizuar” brenda sistemit gjyqësor të Ukrainës, por me mbështetje nga jashtë.

Elementët ndërkombëtarë

“Vizioni ynë për këtë gjykatë është që të përmbajë elementë domethënës ndërkombëtarë – në formën e burimeve dhe strukturave domethënëse ligjore, të personelit dhe të informacionit”, thotë Beth van Schaack, diplomatja më e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit për çështjet e drejtësisë penale globale, kur njoftoi mbështetjen e administratës së Presidentit Biden për ngritjen e një strukture të tillë.

Gjykata mund ta fillonte punën nga jashtë Ukrainës, apo gjetiu në Evropë, tha ajo.

Plani amerikan gëzon mbështetjen e vendeve anëtare të Grupit të Shtatëshes, por ka hasur në kundërshtitë e zyrtarëve ukrainas, të cilët thonë se për ta mundësuar këtë nevojitet ndryshimi i kushtetutës, proces i cili nuk është praktik të realizohet në periudhë lufte.

Zyrtarët ukrainas thonë se një gjykatë e OKB-së, sipas modelit të gjykatës së Nurembergut, do të plotësonte këtë “mangësi të llogaridhënies” në legjislacionin ndërkombëtar dhe do të gëzonte legjitimitet ndërkombëtar, në dallim nga një gjykatë me seli në Ukrainë. Muajin e kaluar, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri sërish thirrje për një iniciativë të tillë, që mbështetet nga disa vende të vogla evropiane.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy duke folur në Hagë (4 maj 2023)

“Nëse dëshirojmë drejtësi të vërtetë, nuk duhet të kërkojmë justifikime dhe nuk duhet t’u referohemi mangësive aktuale të ligjit ndërkombëtar, por duhet të marrim vendime të guximshme që do të korrigjonin mangësitë e këtyre normave”, tha zoti Zelenskyy në një fjalim në Hagë muajin e kaluar.

Në mars, ICC-ja lëshoi një urdhër arresti për Presidentin rus Vladimir Putin, duke e akuzuar atë për deportimin me forcë të qindra fëmijëve ukrainas drejt Rusisë. Por, urdhëri kishte të bënte me akuzat për përfshirjen e zotit Putin në krime lufte, dhe jo për krimin e agresionit.

Rusia e ka kritikuar urdhër-arrestin dhe ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e një gjykate të posaçme.

Ekspertët ligjorë thonë se propozimi amerikan varet nga mbështetja e ukrainasve. Ata gjithashtu thonë se zoti Putin dhe anëtarët e rrethit të tij të ngushtë do t’i shpëtojnë procesit gjyqësor për sa kohë që do të qëndrojnë në pushtet.

“Kam shqetësimin se duke mbështetur një lloj modeli të tillë hibrid, mesazhi që dërgojnë Shtetet e Bashkuara është se janë të interesuara për një llogaridhënie për agresionin në një mënyrë që mbron arkitektët e krimit”, tha Rebecca Hamilton, profesore e asociuar në Kolegjin e Drejtësisë në Universitetin Amerikan në Uashington.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se departamenti nuk komenton për projekt-ligje apo projekt-rezoluta dhe e orientoi Zërin e Amerikës që t’i referohet deklaratave të zonjës van Schaack.

“Siç e ka shprehur Ambasadorja Van Schaak: Nuk mund të ketë paqe pa drejtësi në Ukrainë. Drejtësi për miliona njerëzit të cilëve u është prishur dhe shkatërruar jeta, si rezultat i luftës së pakuptimtë, të paprovokuar dhe të paligjshme për pushtim territoresh, të filluar nga Vladimir Putini”, tha zëdhënësi.

Hera e fundit që pati një proces gjyqësor për krimin e agresionit ishte në vitet 1940, kur udhëheqësit gjermanë dhe japonezë u gjykuan në Nuremberg dhe në Tokio për atë që Gjykata e Posaçme Ushtarake e quajti “krim suprem ndërkombëtar”.

Në një seancë dëgjimore të Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të mërkurën, Senatori Cardin kritikoi planin e administratës së Presidentit Biden. Një gjykatë me seli në Ukrainë, tha Senatori Carden, do të përballej me pikëpyetje rreth "perceptimit të paanësisë" dhe pretendimeve të mundshme për imunitet nga zyrtarët rusë.

Sipas ligjit ndërkombëtar, gjykata e asnjë vendi nuk mund të ndjekë penalisht kreun e shtetit ose zyrtarët ekuivalentë të një vendi tjetër.

"Nuk e di se si kapërcehet kjo me metodën që po ndiqni", i tha Senatori Cardin ambasadores van Schaack, duke iu folur për paanshmërinë e perceptuar të gjykatës.

Pengesat

Zonja Van Schaack u përgjigj se administrata zgjodhi një model hibrid sepse një gjykatë e mbështetur nga OKB-ja do të përballej me pengesat e veta ligjore dhe praktike.

Ligjërisht, Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mund t'i mungojë autoriteti për të ngritur një gjykatë me juridiksion mbi udhëheqësit e Rusisë.

Praktikisht, “ka disa shqetësime serioze nëse i kemi votat brenda Asamblesë së Përgjithshme për të krijuar një organ të kësaj natyre”, tha ajo.

Por Senatori Cardin nuk u tërhoq, duke i kërkuar administratës që të kërkonte mbështetje ndërkombëtare.

“Nuk mund të jetë një përpjekje vetëm e Shteteve të Bashkuara”, tha Senatori Cardin. “Duhet të jetë një veprim kolektiv. Ju duhet ta krijoni këtë (mbështetje) përpara se ta çoni në votim”.

Një zëdhënëse e Senatorit Cardin tha se senatorë të tjerë mund t’i bashkohen si bashkë-sponsorizues të rezolutës, por deri më tani vetëm Senatorët Cardin dhe Kaine e kanë nënshkruar. Ajo tha në një email për Zërin e Amerikës se nuk ka një datë të caktuar për ta hedhur rezolutën në votim.

Zonja Hamilton, ish-juriste në seksionin e prokurorisë së Gjykatës Penale Ndërkombëtare, tha se rezoluta Cardin-Kaine është e rëndësishme sepse është "një sinjal i fortë që [Kongresi] dëshiron të marrë një drejtim të ndryshëm nga ai që po propozon administrata".

"Dhe unë mendoj se mund të jetë gjithashtu domethënëse për mbështetësit e një tribunali ndërkombëtar, jashtë Shteteve të Bashkuara dhe në veçanti jashtë Ukrainës, të dëgjojnë se ka pjesë të sistemit amerikan që të paktën do ta mbështesnin një gjykatë të vërtetë ndërkombëtare", tha ajo në një intervistë.