Moldavia intensifikon përpjekjet për të hyrë në BE

Sot në Moldavi po zhvillohet një takim simbolik i nivelit të lartë të krerëve të BE-së. Udhëheqësit moldavë shpresojnë që ai të nxisë përpjekjen e gjatë të vendit të tyre për integrim në Bashkimin Evropian. Kjo përpjekje ka përkrahës dhe kundërshtarë të zjarrtë, të brendshëm dhe të jashtëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Ricardo Marquina ishte në Kishinau të Moldavisë dhe na dërgoi këtë kronikë.

Your browser doesn’t support HTML5

Moldavia intensifikon përpjekjet për të hyrë në BE

Dhjetëra mijëra njerëz dolën kohët e fundit në rrugët e Kishinaut, të nxitur nga presidentja moldave, Maia Sandu, për të treguar se moldavët duan që vendi i tyre të integrohet plotësisht në Bashkimin Evropian.

“Moldavët janë evropianë dhe pas 7 vitesh ne duhet të bëhemi anëtarë të plotë të Bashkimit Evropian”, thotë presidentja Maia Sandu.

Moldavia mori statusin e kandidatit në qershor të vitit të kaluar, në një sfond të presionit ekstrem të jashtëm për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

“Vendi ynë duhet të jetë pjesë e një Evrope të bashkuar. Le të jetojmë më mirë, me demokraci. Ne nuk duam të kthehemi në të kaluarën, të jemi sërish pjesë e Perandorisë Ruse”, thotë për Zërin e Amerikës Bogdani, një demonstrues që përkrah anëtarësimin në BE.

Moldavia është thellësisht e ndarë. Për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, rruga është drejt Rusisë, jo BE-së.

Prej muajsh në rrugët e vendit është mobilizuar edhe opozita antievropiane.

“Historikisht ne kemi qenë të bashkuar me Rusinë, me Ukrainën, me Komonuelthin e Shteteve të Pavarura. Evropa nuk do të na ndihmojë”, thotë për Zërin e Amerikës Romani, një kundërshtar i integrimit të vendit në BE.

Mbështetja për Kremlinin është veçanërisht e dukshme në rajonin jugor të Gagauzisë, ku ambasadori rus në Moldavi u përshëndet në mënyrë miqësore nga autoritetet lokale gjatë një festivali rajonal.

Udhëheqësja e sapozgjedhur e rajonit, Evghenia Gutul nga partia pro-ruse Shor, foli me Zërin e Amerikës.


“Ne duam të kemi marrëdhënie të mira me të gjithë, si me vendet evropiane ashtu edhe me Federatën Ruse. Nuk kemi nevojë për armiq. Jemi përkrahës të paqes dhe neutralitetit të vendit tonë".

Por autoritetet qendrore të Moldavisë besojnë se, pavarësisht rezistencës së brendshme nga një pjesë e popullsisë, rruga evropiane e nisur nga Kishinau është e pakthyeshme, thotë për Zërin e Amerikës, ministri i Jashtëm Nicu Popescu.

“Është e qartë se shumica absolute e qytetarëve tanë kanë votuar vazhdimisht (në) dyzet vitet e fundit për më shumë integrim me Evropën, për më shumë lidhje me Evropën".

Lufta në Ukrainë dhe rritja e tensioneve me Rusinë e bëjnë këtë një moment vendimtar dhe të rrezikshëm për Evropën. Në këtë kontekst, thonë analistët, Moldavia është hallka më e dobët.