Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes po paralajmërojnë për një "rritje alarmante" të interceptimeve agresive nga avionët dhe anijet ushtarake kineze, pas një përballjen të rrezikshme mes një avioni luftarak kinez dhe një avioni ushtarak amerikan në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Kinës Jugore javën e kaluar.
Këto interceptime "të rrezikshme" kanë "potencialin të shkaktojnë incidente të rënda", thanë dy zyrtarë të mbrojtjes amerikane, të cilët folën për incidentin në kushte anonimiteti.
Të martën, Shtetet e Bashkuara publikuan pamjet e një incidenti, që Uashintoni e quajti një "manovër agresive të panevojshme" nga një pilot luftarak kinez gjatë përpjekjeve për interceptimin e një avioni RC-135 të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara më 26 maj.
Piloti kinez "fluturoi direkt përballë hundës së avionit amerikan RC-135, në një distancë prej 122 metrash", tha një zëdhënës i Komandës Indo-Paqësore të Shteteve të Bashkuara, e cila mbikëqyr aktivitetin ushtarak amerikan në rajon.
Zëdhënësi tha se avioni amerikan ishte “duke kryer operacione të sigurta dhe rutinë mbi Detin e Kinës Jugore në hapësirën ajrore ndërkombëtare, në përputhje me ligjin ndërkombëtar” në momentin kur ndodhi incidenti.
Në një deklaratë, Komanda amerikane e Indo-Paqësorit, u bëri thirrje të gjitha vendeve që të përdorin hapësirën ajrore ndërkombëtare në mënyrë të sigurt në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara "do të vazhdojnë të fluturojnë, lundrojnë dhe operojnë - në mënyrë të sigurt dhe me përgjegjësi - kudo që e lejon ligji ndërkombëtar".
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning fajësoi të mërkurën Shtetet e Bashkuara për incidentin, duke thënë se avioni po kryente misione "zbulimi afër Kinës" dhe po "kërcënonte seriozisht sovranitetin dhe sigurinë e Kinës".
"SHBA duhet të ndalë menjëherë aktet e tilla të rrezikshme provokimi", tha zëdhënësja Mao Ning.
Një vendim i gjykatës ndërkombëtare në Hagë tha se Kina nuk kishte të drejta historike për kontrollin e Detit të Kinës Jugore, por Pekini e ka injoruar vendimin.
Shtetet e Bashkura kryejnë shpesh operacione në dhe mbi Detin e Kinës Jugore për të sfiduar pretendimet territoriale të Kinës dhe të tjerëve dhe për të nxitur dhe lehtësuar lëvizjen e lirë nëpër ujërat ndërkombëtare të flotave tregtare nga gjithë bota, një aktivitet tregtar që arrin vlerën e triliona dollarëve në vit.
Pekini pretendon se çdo gjë në Detin e Kinës Jugore është pjesë e Kinës, ndërsa Brunei, Malajzia, Filipinet, Tajvani dhe Vietnami gjithashtu kanë pretendime ndaj disa ishujve pranë kufijve të tyre.
Rritja e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës pason njoftimin e Pentagonit se Pekini ka refuzuar një kërkesë të Shteteve të Bashkuara për një takim midis shefave të tyre të mbrojtjes në një forum vjetor të sigurisë në Singapor këtë fundjavë.
Të dy shefat e mbrojtjes pritet të marrin pjesë në Dialogun e Pëvitshëm mbi Sigurinë në Singapor, ku do të mblidhen zyrtarë dhe analistë të fushës së mbrojtjes. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin do të mbajë një fjalim në këtë forum të shtunën, ndërsa ministri kinez i mbrojtjes Li Shangfu, do të flasë atje të dielën.
Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Pat Ryder tha se linjat e hapura të komunikimit janë të rëndësishme "për tu siguruar që konkurrenca të mos kalojë në konflikt".
Një zyrtar i lartë i mbrojtjes i tha Zërit të Amerikës të martën se që nga viti 2021, Kina ka refuzuar ose nuk i është përgjigjur dhjetëra kërkesave të Departamentit të Mbrojtjes për angazhime të rëndësishme të udhëheqësve, së bashku me kërkesat e shumta për dialog të vazhdueshëm dhe gati 10 kërkesa për takime pune mes zyrtarëve të rangut më të ulët.
“Sinqerisht, ky është thjeshtë një tjetër justifikim i radhës”, tha zyrtari i lartë i mbrojtjes.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës konfirmoi gjithashtu se dy drejtuesit e mbrojtjes nuk do të takohen këtë javë, duke thënë të martën se Shtetet e Bashkuara duhet të "respektojnë sovranitetin, interesat dhe shqetësimet e sigurisë së Kinës ... dhe të krijojnë atmosferën dhe kushtet e nevojshme për dialog dhe komunikim midis dy ushtrive".
Ministri kinez i mbrojtjes Li, i cili mori postin e tij aktual në mars, ka qenë në shënjestër të sanksioneve amerikane që nga viti 2018 për blerjen e avionëve luftarakë dhe pajisjeve nga eksportuesi kryesor rus i armëve, “Rosoboronexport”.