Moska u vu të martën në shënjestër të goditjeve me dronë që Rusia tha se ishin ukrainas. Sipas zyrtarëve rusë, ato synonin të godisnin disa nga zonat më të pasura të kryeqytetit. Kievi mohoi të ishte i përfshirë. Ndërkohë Kievi u godit nga ajri për herë të tretë brenda 24 orësh.
Your browser doesn’t support HTML5
Zyrtarët rusë thanë se mbrojtja ajrore e vendit rrëzoi ose devijoi tetë dronë në hapësirën ajrore të Moskës. Presidenti rus Vladimir Putin tha se sulmet, për të cilat ai akuzoi Ukrainën, kishin në shënjestër civilët.
"Regjimi i Kievit po përpiqet të frikësojë qytetarët rusë dhe të godasë ndërtesat civile. Ky është, sigurisht, një tregues i qartë aktiviteti terrorist.”
Më herët zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Kievi po reagonte ndaj “goditjeve shumë efektive (ruse) kundër njërës nga qendrat e vendim-marrjes së dielën”, por nuk dha detaje se për çfarë goditje e kishte fjalën.
Ministria e Jashtme tha se Rusia ka të drejtën të marrë masat më të ashpra ndaj sulmeve me dron.
Sipas zyrtarëve, sulmi i së martës kishte në shënjestër disa nga zonat më të pasura të Moskës, përfshirë një zonë perëndimore, ku presidenti Putin dhe elita ruse kanë rezidenca.
Dy persona u plagosën ndërsa disa blloqe apartamentesh u evakuuan përkohësisht, sipas kryebashkiakut të Moskës.
Që kur Rusia filloi agresionin ndaj fqinjit të saj shkurtin e vitit të kaluar lufta është zhvilluar kryesisht brenda Ukrainës, megjithëse Moska ka akuzuar Kievin për disa sulme në territorin e saj, duke përmendur edhe një tentativë për vrasje kundër Presidentit Vladimir Putin.
Ndërkohë këshilltari i presidentit ukrainas Mykhailo Podolyak mohoi që Kievi të ishte përfshirë drejtpërdrejt në sulmin ndaj Moskës.
“Ne jemi të kënaqur që shikojmë këto sulme dhe parashikojmë që të ketë edhe sulme të tjera, por sigurisht ne nuk kemi asnjë rol të drejtpërdrejtë”, tha ai.
Ndërkohë Kievi u godit të martën për herë të tretë brenda 24 orësh. Forcat e mbrojtjes ukrainase thanë se rrëzuan më shumë se 20 dronë Shaheed të prodhuar nga Irani.
Zyrtarët thanë se të paktën një person vdiq dhe disa të tjerë u plagosën kur një predhë e shkatërruar ruse goditi një ndërtesë shumëkatëshe.
Kryebashkiaku i Kievit Vitali Klitschko reagoi ndaj sulmit.
"Putinit i duhet Ukraina pa ukrainas. Është terrorizëm, natyrisht të gjithë janë të shqetësuar. Rusët duan që populli ynë të dorëzohet. Por në vend që të dobësohen, njerëzit janë shumë të zemëruar", tha ai.
Ukraina ka thënë se po ndërmerr një kundërofensivë të mbështetur nga armë perëndimore në përpjekje për të rimarrë territoret që janë aktualisht nën kontrollin e Rusisë.