Një raketë ruse goditi një klinikë në qytetin lindor të Ukrainës, Dnipro të premten, duke shkaktuar vdekjen e të paktën dy personave dhe plagosjen e 23 të tjerëve në një sulm që presidenti Volodymyr Zelenskiy e quajti krim kundër njerëzimit.
Nga ndërtesa e shkatërruar dilnin shtëllunga tymi dhe pjesa më e madhe e katit të sipërm të ndërtesës trekatëshe ishte dëmtuar rëndë. Në pamjet e bëra publike, dukej një kufomë e mbuluar në rrugë pranë ndërtesës.
“Një tjetër sulm me raketa (ruse), një tjetër krim kundër njerëzimit”, shkruante presidenti Zelenskiy në Twitter, duke përshkruar dëmtimin e një klinike psikologjike dhe një klinike veterinare në Dnipro.
"Vetëm një shtet vrasës mund të godasë klinikat. Nuk mund të ketë asnjë justifikim ushtarak për një gjë të tillë. Është terror i pastër rus."
Guvernatori rajonal Serhiy Lysak tha se një 69-vjeçar ishte vrarë dhe se trupi i një njeriu tjetër ishte nxjerrë nga rrënojat. 21 nga 23 të plagosurit u dërguan në spital, tre prej tyre në gjendje të rëndë, tha ai.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës e quajti sulmin një krim të rëndë lufte sipas Konventave të Gjenevës, të cilat përcaktojnë se si duhet të trajtohen në luftë ushtarët dhe civilët.
Rusia nuk ka bërë komente për ngjarjet në Dnipro, një qytet i madh që është sulmuar shpesh që kur Moska filloi agresionin e saj në shkallë të gjerë 15 muaj më parë.
Moska ka hedhur poshtë akuzat se ushtarët e saj kanë kryer krime lufte dhe mohon të ketë vënë në shënjestër civilët, megjithëse sulmet e saj ajrore shpesh kanë goditur infrastrukturën civile, përfshirë ndërtesat e banimit dhe objektet mjekësore.