Tre shtete amerikane njoftojnë se do të reduktojnë konsumin e ujit të lumit Kolorado

FILE - The Colorado River in the upper River Basin is pictured in Lees Ferry, Ariz., on May 29, 2021.

Arizona, Nevada dhe Kalifornia thanë të hënën se janë të gatshme të reduktojnë përdorimin e ujit nga lumi Kolorado në këmbim të fondeve nga qeveria federale, dhe për të shmangur më vonë reduktimet e detyruara pasi thatësira po kërcënon furnizimin me ujë në pjesën Perëndimore të Shteteve të Bashkuara. Ekspertët thonë se ky plan është i përqendruar në menaxhimin e krizës dhe jo në zgjidhjen e saj.

Your browser doesn’t support HTML5

Tre shtete amerikane njoftojnë se do të reduktojnë konsumin e ujit të lumit Kolorado

Plani, një përparim i mundshëm i një ngërçi një vjeçar, do të kursente 3,7 miliardë metra kub ujë deri në vitin 2026, kur skadojnë ligjet aktuale për mënyrën se si ndahen burimet ujore të lumit të Kolorados.

Rreth gjysma e shkurtimeve do të realizoheshin në fund të vitit 2024. Kjo është më pak se sa zyrtarët federalë thanë vitin e kaluar se do të nevojitej për të shmangur krizën e furnizimit me ujë, por është një hap të madh në negociatat e gjata dhe të vështira midis tre shteteve.

Felicia Marcus, studiuese e burimeve ujore në Universitetin e Standfordit thotë se kjo është një zgjidhje e përkohshme për vitet e ardhshme ndërsa autoritetet përpiqen të gjejnë një mënyrë më të mirë të menaxhimit të lumit.

“Me ndryshimet klimatike, ne e dimë se mund të kemi periudha më të shpeshta thatësire në dekadat e ardhshme. Kështu që ne duhet të jemi më realist në mënyrën se si e trajtojmë çështjen e lumenjve dhe duhet të marrim parasysh kohën në cilën po jetojmë”, thotë ajo.

Lumi 2334 kilometra i gjatë siguron ujë për 40 milionë njerëz në shtatë shtete amerikane, për disa pjesë të Meksikës dhe dhjetëra fise të indianëve të Amerikës. Ai përdoret për hidrocentralet dhe furnizon me ujë fermat që kultivojnë pjesën më të madhe të perimeve dimërore të vendit.

Në këmbim të reduktimeve të përkohshme, qytetet, pronarët e sistemeve të ujitjes dhe fiset indigjene amerikane në të tre shtetet do të marrin fonde federale, megjithëse zyrtarët nuk thanë se sa prisnin të merrnin.

“Mendoj se të gjithë do të ndjejnë pasojat e shkurtimeve. Por, sektori i bujqësisë do të ndikohet më së shumti nga reduktimet”, thotë Bret Birdsong, profesor i Universitetit të Nevadës.

Ai thotë se problemi i përdorimit të ujit të lumit Kolorado po shkaktohet nga një deficit strukturor.

“Ka më shumë leje për shfrytëzimin e ujrave të lumit, se sa ujë për t’u konsumuar. Dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Kjo marrëveshje është vërtetë e përqendruar në menaxhimin e krizës”, thotë profesor Birdsong.

Megjithëse miratimi i planit nuk është i sigurt, komisionerja e Byrosë Amerikane të Bonifikimit të Tokave, Camille Touton e quajti atë një "hap të rëndësishëm përpara".