Vazhdojnë bisedimet për tavanin e borxhit

Presidenti Joe Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, pritet të takohen sot pasdite në lidhje me ngërçin mbi tavanin e borxhit. Të dy po përpiqen të arrijnë një kompromis për të rritur kufirin e huamarrjes së Shteteve të Bashkuara në kohë për të shmangur një falimentim financiar me pasoja shkatërrimtare. Bisedimet për të parandaluar dështimin e Shteteve të Bashkuara për të paguar borxhin e saj vazhduan të dielën, pas kthimit të presidentit Joe Biden në Uashington nga takimi i G7-ës në Japoni. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias sjell një përmbledhje të pozicionit të demokratëve dhe republikanëve për rritjen e kufirit të borxhit.

Your browser doesn’t support HTML5

Vazhdojnë bisedimet për tavanin e borxhit

Ndërsa përgatitej për të përfunduar pjesëmarrjen e tij në samitin e G-7 në Hiroshima, presidenti Joe Biden u bëri thirrje republikanëve të hiqnin dorë nga "pozicionet ekstremiste" për të parandaluar dështimin e Shteteve të Bashkuara për të paguar borxhet e saj.

“Unë kam bërë pjesën time dhe kam paraqitur një propozim për të ulur shpenzimet me më shumë se një trilion dollarë, përveç një reduktimi të deficitit prej gati 3 trilionë dollarësh, që propozova më parë, përmes kombinimit të shkurtimeve të shpenzimeve dhe rritjes së të ardhurave. Tani është koha që pala tjetër të bëjë lëvizjen e saj”, tha presidenti.

Republikanët e udhëhequr nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy këmbëngulin në shkurtime më të thella të shpenzimeve.

Ligjvënësi Jodey Arrington shpjegoi për emisionin "This Week" të kanalit ABC, pse ai refuzon propozimin e presidentit Biden për të rritur të ardhurat, duke shtuar taksat për individët e pasur dhe korporatat.

“Populli amerikan e kupton se kriza e kostos së jetesës të cilën po përjetojnë është rezultat i shpenzimeve, jo sepse kemi taksa të ulëta. Fakti është se ne kishim taksa të ulta kur filloi COVID-i dhe patëm të ardhura tatimore rekord në vitin 2021”.

Republikanët po kërcënojnë të hedhin në erë ekonominë nëse nuk marrin atë që kërkojnë, thotë senatori demokrat Chris Van Hollen, i cili gjithashtu foli për kanalin ABC.

“Nëse dështojmë të paguajmë borxhin, rrezikojmë depresion ekonomik. 18 milionë njerëz pa punë. Rritje të normave të interesit. Gjithçka do të bëhej shumë më e shtrenjtë për popullin amerikan”.

Nëse tavani i borxhit nuk rritet, do të duhet të bëhen zgjedhje të vështira, tha Sekretarja e Thesarit Janet Yellen në emisionin "Meet the Press" të kanalit NBC.

“Duhet të paguajmë interesat për borxhin e papaguar. Ne kemi gjithashtu detyrime ndaj të moshuarve, që varen tek sigurimet shoqërore, apo ushtrinë që pret të paguhet. Kontraktorët që kanë ofruar shërbime për qeverinë federale dhe disa fatura mbeten të papaguara”.

Sekretarja Yellen vlerëson se Shtetet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje të paguajnë detyrimet duke filluar nga qershori, nëse republikanët dhe demokratët në Kongres nuk arrijnë një marrëveshje.