Komunitetet amerikane përballen me sfidën e dyfishtë të varësisë nga fentanili dhe të pastrehëve 

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara thonë se shkaku kryesor i vdekjeve nga mbidoza në Amerikë janë opioidet sintetike, kryesisht fentanili, i cili mund të jetë deri në 50 herë më i fortë se heroina. Organet e zbatimit të ligjit në SHBA thonë se fentanili i paligjshëm prodhohet me çmim të ulët nga kimikatet që vijnë kryesisht nga Kina, trafikohen përmes Meksikës dhe më pas hyjnë kontrabandë në Shtetet e Bashkuara. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Natasha Mozgovaya, u hedh një vështrim përpjekjeve të komunitetit për t’u përballur me sfidat e abuzimit me fentanilin dhe problemeve të të pastrehëve të lidhura me të.

Your browser doesn’t support HTML5

Komunitetet amerikane përballen me sfidën e dyfishtë të varësisë nga fentanili dhe të pastrehëve

Prej më shumë se dy vitesh Kent Hay shkon në një kamp me çadra pranë lumit Green jashtë qytetit Seattle, në përpjekje për të bindur ata që jetojnë atje që të marrin trajtim për varësinë nga fentanili dhe të transferohen në një qendër për të pastrehët.

Abuzimi me fentanil është diçka e zakonshme në kampin ku era e pilulave të djegura përzihet me atë të tymit nga zjarri.

“Shumë rrallë has dikë që nuk përdor fentanil. Prandaj është e vështirë t’i bindësh këta njerëz që të marrin trajtim”, thotë zoti Hay, një administrator për të pastrehët.

Sfida e varësisë nga fentanili kombinuar me problemin e mungesës së strehimit, mund të shkaktojë polarizim politik. Anëtarja e këshillit të distriktit King, Sarah Perry, thotë se zgjidhja kërkon përgjigje në nivele të ndryshme, përfshirë rolin e komunitetit.

“Ata janë njerëzit tanë. Ata banojnë pranë nesh. Janë fëmijët tanë, prindërit tanë, vëllezërit, motrat dhe kushërinjtë tanë. Nuk mund t’i injorojmë. Ne duhet të bëjmë atë që duhet, në mënyrë që të gjithë të kenë një vend të sigurt për të jetuar dhe të gjithë të ndihen të sigurt”, thotë ajo.

T’i lësh ata që kanë varësi nga fentanili të vendosin se kur janë të gatshëm të trajtohen është çnjerëzore, thotë ish-anëtarja e këshillit, Kathy Lambert. Ajo mendon se rehabilitimi në spital duhet të jetë i detyrueshëm.

“Atyre u duhet një vend ku të mos kenë alternativë përveçse të pastrojnë trupat e tyre që të mund të bëjnë zgjedhje të mira. Dhe si për çdo gjë tjetër, nëse ecën në rrugë dhe sheh dikë që ka një atak apendiciti, nuk i thua: ‘Do të kujdesem për ty kur të jesh gati’. Ndërhyn menjëherë dhe merr masa. Kjo duhet bërë në këtë rast”, thotë zonja Lambert.

Në Qendrën e Universitetit të Uashingtonit për Edukimin për Drogën përmes Angazhimit të Komunitetit, Epidemiologji dhe Kërkime, Caleb Banta-Green thotë se përmirësimi i shërbimeve sociale dhe mjekësore është më efektiv dhe më pak i dëmshëm se trajtimi i detyrueshëm.

“Para se të përpiqemi t'i detyrojmë njerëzit të trajtohen, unë do të argumentoja se duhet të ofrojmë shërbime shumë më të mira që njerëzit duan në të vërtetë. Sepse kur i ofrojmë këto, ata i mirëpresin”, thotë Caleb Banta-Green i Universitetit të Uashingtonit.

Ndërkohë, punonjësit si zoti Hay vazhdojnë të shkojnë aty ku janë personat me varësi nga fentanili dhe përpiqen t'i ndihmojnë.