Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier tha se Shtetet e Bashkuara nuk mbështesim absolutisht asnjë formë të përdorimit të forcës që mund të çojë në tensione të shtuara ose në konflikt të dhunshëm në Kosovë. Ai i bëri këto komente në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës, pas shqetësimeve për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës në prag të marrjes se detyrës nga katër kryetarët e rinj të zgjedhur më 23 prill.
Your browser doesn’t support HTML5
“Ne absolutisht nuk mbështesim asnjë përdorim të forcës që mund të rezultojë në tensione të shtuara ose në konflikt të dhunshëm. Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda ndërtesës së komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur kryejnë ceremoninë e betimit nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtarë të zgjedhur”, thuhet në përgjigjen e ambasadorit Hovenier.
Një muaj më parë autoritetet e Kosovës organizuan zgjedhjet për kryetarë të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri me gjithë refuzimin e subjekteve politike serbe që të marrin pjesë në proces pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Zbatimi i rezultatit të zgjedhjeve në terren ndërkaq nxiti shqetësimin e Bashkimit Evropian për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës.
Ambasadori Hovenier tha se zgjedhjet e mbajtura më 23 prill ishin në pajtim me ligjet dhe kushtetutën e Kosvës, por...
“Nga këndvështrimi politik, megjithatë, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik, duke parë kushtet e pazakonta në të cilat ata u zgjodhën”, tha ambasadori Hovenier duke bërë thirrje që të gjitha palët të veprojnë me përgjegjësi dhe përmbajtje dhe të ulin pikat e mundshme të tensionit.
Autoritetet në Kosovë thanë se nuk ka asnjë arsye të që të ketë tensione gjatë betimit të kryetarëve të rinj duke u bërë thirrje qytetarëve që jetojnë në këto komuna të mos bien pre e siç thanë propagandës.
Lexoni edhe këtë SHBA, seancë për Ballkanin Perëndimor në SenatAmbasadori Hovenier tha se duke pasur parasysh rrethanat, ai pret që kryetarët e komunave dhe anëtarët e kuvendeve komunale t'i përqendrojnë përpjekjet e tyre në përgjegjësitë teknike dhe në shërbim të nevojave të të gjithë elektoratit.
“Presim që këta zyrtarë të përmbahen nga çdo retorikë, veprim apo nismë që nuk pasqyron nevojat e komuniteteve të tyre ose që mund të interpretohet si kontribut në rritjen e tensioneve”, tha ai.
Çështja e situatës në komunat në veriun e Kosovës ishte pjesë e një bisede të ndarë telefonike të mërkurën në mbrëmje ndërmjet këshilltarit të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Zyra e kryeministrit të Kosovës tha se me zotin Chollet është diskutuar për procesin e zbatimit të marrëveshjes të arritur në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe situata në veriun e Kosovës në prag të betimit të kryetarëve të zgjedhur.
Zyra e presidentit të Serbisë, citoi ndërkaq zotin Chollet të ketë thënë se “është e nevojshme të shmangen provokimet dhe konfliktet, si dhe është e rëndësishme të vazhdohet puna për normalizimin, duke i dhënë mbështetje dialogut të Brukselit”.
Ekipet negociuese të Kosovës dhe Serbisë u takuan në fillim të javës në Bruksel në përpjekje për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja vendeve që u arrit në muajin mars në Ohër, por pa përparim.
Të dyja palët mbajnë qëndrime të ndryshme për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes. Derisa Kosova po kërkon që të mos kushtëzohet zbatimi i të gjitha pikave të marrëveshjes me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për Beogradin zyrtar ky mbetët kushti kryesorë për të vazhduar tutje në përmbushjen e marrëveshjes dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.