SHBA, seancë për Ballkanin Perëndimor në Senat

  • Keida Kostreci

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet tha të enjten në Senatin amerikan se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është prioritet për administratën e Presidentit Joe Biden.

Zoti Chollet foli përpara komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatin, i cili mbajti të enjten një seancë dëgjimore mbi angazhimin amerikan në Ballkan.

Your browser doesn’t support HTML5

SHBA, seancë për Ballkanin Perëndimor në Senat

Politika jonë bazohet në një parim të thjeshtë: një Evropë e tërë, e lirë, e begatë dhe në paqe është në interesin e sigurisë sonë kombëtare dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet një pjesë e munguar e enigmës".

Zoti Chollet, ashtu si edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dëshmuan para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, lidhur me sfidat dhe mundësitë e rajonit. Anëtarët e Komisionit dhe zyrtarët e lartë, ishin të një mendjeje se një nga sfidat më të ngutshme janë çështjet e pazgjidhura mes Serbisë dhe Kosovës.

Shtetet e Bashkuara mbështesin integrimin e plotës të Kosovës në strukturat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, NATO-n dhe Bashkimin Evropian”, tha zoti Chollet.

Por ai shtoi se aspiratat evropiane të Kosovës dhe Serbisë nuk do të përmbushen derisa të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre.

Për zotin Chollet marrëveshja e Ohrit përcakton një rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Kosova riafirmoi përkushtimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, një veprim që ne i kemi kërkuar që ta ndërmarrë me shpejtësi, të zyrtarizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe dhe të ofrojë mbrojtje të fuqishme për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe”, tha ai.

Po kështu ai shtoi se Kosova dhe Serbia do të njohin gjithashtu dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës. Dhe se Serbia nuk do të lobojë më kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Sipas zotit Chollet marrëveshja paraqet një përparim të rëndësishëm në tejkalimin e ciklit të krizave që ka karakterizuar marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve për një kohë të gjatë, duke shtuar se SHBA do të vazhdojmë të punojë me të dyja palët në mënyrë që ato të përmbushin angazhimet e tyre reciproke.

Duke iu referuar Serbisë, zoti Chollet tha se SHBA është e përkushtuar për thellimin e partneritetit me Serbinë, por e bën këtë duke i kushtuar një vëmendje të madhe asaj që mund të ndodhë. Serbia tha ai ka sfida të rëndësishme përpara duke filluar nga korrupsioni deri te ndikimi i dëmshëm rus, përfshirë dezinformimin.

Historia jonë ka qenë e vështirë dhe marrëdhënia jonë nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Megjithatë është në interesin tonë që të ndihmojë Serbinë të realizojë potencialin e saj të plotë dhe të afrohet më shumë me komunitetin euroatlantik.Për të qenë të qartë, progresi duhet fituar”.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Serbia duhet të përmbushë angazhimet për të ndërtuar marrëdhënie konstruktive me të gjithë fqinjët e saj dhe demokraci të fortë dhe të qëndrueshme në vend për të arritur këtë vizion.

Kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë, Senatori Bob Menendez, theksoi se thelbi i stabilitetit në Ballkan është zgjidhja përfundimtare e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai shprehu kritika ndaj zyrtarëve amerikanë, duke thënë se i është krijuar përshtypja se Kosovës po i bëhet presion për të krijuar Asociacionin, ndërsa pak presion po i bëhet Beogradit, pak presion po i bëhet një udhëheqësi që siç u shpreh Senatori, gazeta Nju Jork Times, e karakterizoi si një politikan me lidhje të thella me botën e krimit të organizuar.

"Pasi Serbia dhe Kosova u pajtuan mbi marrëveshjen e propozuar nga BE-ja për normalizimin midis tyre, kemi pasur rezultate të përziera. Duke filluar me refuzimin e Presidentit Vuçiç për ta nënshkruar marrëveshjen, kundërshtimin e Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe inkurajimin i serbëve për bojkotimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës. Unë dua ta shoh Kosovën dhe Serbinë të ecin përpara drejt normalizimit. Por si mund të presim nga vendet që të zbatojnë marrëveshjen në mirëbesim, nëse Vuçiçi refuzon ta nënshkruajë atë?", pyeti ai gjatë seancës.

Përgjigjes së zotit Chollet se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme dhe se presidenti Vuçiç dhe nuk e ka mohuar një gjë të tillë, senatori Menendez tha se mungesa e hapave të domosdoshme për zbatimin, është njëlloj si ta mohojë atë, duke përmendur si shembull kundërshtimin e Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Por zoti Chollet tha se "për fat të keq, nuk po shohim shumë zbatim të marrëveshjes nga asnjëra palë".

"Kjo është një pikë ku kolegu im, zoti Escobar, është shumë i përqëndruar. Unë kisha rastin të bisedoja për këtë me shefin e politikës së jashtme të BE-së, Borell, gjatë fundjavës. BE-ja është shumë e përqëndruar tek kjo çështje, prandaj jemi të angazhuar në një diplomaci intensive që të nxisim të dyja vendet të përmbushin marrëveshjen", u përgjigj zoti Chollet.

Duke iu përgjigjur shqetësimit të Senatorit Menedez se Asociacioni do të kthehej në një lloj "Republika Serbska" në Kosovë, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se Asociacioni do të krijohet brenda Kushtetutës së Kosovës dhe i bazuar në modele evropiane që tashmë ekzistojnë.

"Dhe në asnjë nga ato modele, një vend fqinj nuk mund të futet në territorin e një fqinji tjetër për të penguar kushtetutshmërinë ose strukturën e tij ligjore. Ky është synimi ynë. Ndërsa ato vende normalizojnë marrëdhëniet mes tyre, ato harmonizohen me Bashkimin Evropian, në rrugëtimin e tyre drejt integrimit", tha zoti Escobar.

Megjithatë as zoti Chollet, as zoti Escobar nuk thanë konkretisht se si do të garantohet kjo përputhje me Kushtetutën.

Dhe ndërsa udhëheqësit e Kosovës kanë thënë se kërkesat që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë parakusht për zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dëmtojnë procesin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, zyrtarët e lartë amerikanë veçuan pikërisht këtë çështje, edhe në kuadrin e përmirësimit të shanseve për njohjen nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe afrimin me BE-në.

"Kosova nuk mund të anashkalojë Asociacionit e Komunave me Shumicë Serbe, nëse do që të ofrohet me BE-në", tha zoti Escobar.

Dhe në një postim në Twitter për bisedën telefonike me Kryeministin Albin Kurti, zoti Chollet shkoi më tej duke e lidhur zbatimin e Asociacionit me njohjen e ndërsjellë:

"Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, përmes dialogut të lehtësuar nga BE dhe zbatimit të marrëveshjes së Asociacionit, do t'i hapë dyert Kosovës, përfshirë në të ardhmen, njohjen reciproke".

Në postimin për telefonatën me Presidentin Vuçiç, zoti Chollet shprehet se Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për përparim të menjëhershëm për Asociacionin dhe kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet lokale.

Senatori Menendez pyeti zotin Chollet, nëse artikulli i revistës së gazetës New York Times për presidentin Vuçiç, ishte i besueshëm.

"Ne besojmë se po. Nuk mund të flas për detajet e këtij artikulli, por ka absolutisht shumë korrupsion", tha ai, por shtoi se korrupsioni është plagë në gjithë rajonin.

Lexoni edhe këtë Nju Jork Tajms mbi lidhjet e dyshuara të presidentit Vuçiç me krimin e organizuar 

"Ne e kemi bërë shumë të qartë se korrupsioni - dhe meqë ra fjala, nuk është vetëm në një pjesë të caktuar të rajonit - është një plagë në të gjithë rajonin. Dhe pikëpamja ime është se pikërisht korrupsioni pengesa më e madhe për integrimi e rajonit në Evropë dhe kështu ky është një prioritet i lartë për ne", tha zoti Chollet.

Në seancë, ligjvënësit dhe zyrtarët e lartë shprehën shqetësimin për gjendjen në Bosnjë, rikonfirmuan mbështetjen për anëtarësim të shpejtë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, si edhe vlerësuan hapat e Malit të Zi drejt Evropës.

Zoti Escobar tha se SHBA shpreson të shohë zgjedhje të lira dhe të drejta në 11 qershor në Mal të Zi dhe njoftoi gjatë seancës se do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të vendit, Jakov Milatoviç këtë fundjavë.

Lexoni edhe këtë Jakov Milatoviç – fitues i zgjedhjeve presidenciale në Malin e Zi

Zyrtarët thanë se SHBA po merr masa për mbështetjen e rajonit nga sulmet kibernetike, duke veçuar sulmet e tilla nga Irani ndaj Shqipërisë.

"Shtetet e Bashkuara kanë premtuar rreth 50 milionë ndihmë për sigurinë kibernetike për Shqipërinë për sektorët e saj civilë dhe ushtarakë. Është një nga kontributet tona më të mëdha të mbështetjes kibernetike për çdo vend sot", tha zoti Escobar.

Lexoni edhe këtë Pas sulmit kibernetik nga Irani, Shqipëria ka gati planin për sigurinë e informacionit

Gjatë gjithë seancës, nevoja për të mbështetur Ballkanin Perëndimor u theksua veçanërisht në kontekstin e përpjekjeve nga Rusia, si edhe Kina për ndikim dhe dezinformim por edhe në sektorin e energjisë.

Pjesëmarrësit thanë se ndihma për zhvillimin e demokracisë, zgjidhjes së problemeve të mbetura dhe pavarësinë energjetike janë thelbësore për të mirën e rajonit dhe për interesat perëndimore atje.