Një person humbi jetën dhe dy u plagosën nga një raketë ruse që goditi një ndërtesë industriale në rajonin jugor ukrainas të Odesas, sipas autoriteteve ukrainase. Rusia lëshoi 30 raketa nga anijet kundër pjesëve të ndryshme të Ukrainës të enjten në mëngjes. Megjithatë zyrtarët ukrainas thanë se ata arritën t’i rrëzojnë 29 prej tyre.
Your browser doesn’t support HTML5
Zyrtarët ukrainas thonë se Rusia ka lëshuar 30 raketa nga anijet kundër pjesëve të ndryshme të vendit, 29 prej të cilave forcat ukrainase thonë se i rrëzuan. Forcat ukrainase njoftuan se kanë rrëzuar edhe dy dronë shpërthyes dhe dy dronë zbulimi të enjten në mëngjes.
Një zëdhënës ushtarak tha se një person vdiq dhe dy u plagosën nga një raketë ruse që depërtoi dhe goditi një ndërtesë industriale në rajonin jugor të Odesas.
Shpërthime të forta u dëgjuan edhe në Kiev ndërsa forcat e Kremlinit vunë në shënjestër kryeqytetin për herë të nëntë këtë muaj. Ky është një përshkallëzim i qartë pas javësh qetësie dhe përpara një kundërofensive të shumëpritur ukrainase duke përdorur armë të avancuara perëndimore të furnizuara rishtazi.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy bëri thirrje për më shumë presion ndaj Rusisë pas sulmeve të mëtejshme në të gjithë vendin të mërkurën.
“Sulmet ruse me granata sot në qytetin Kherson i morën jetën një fëmije tjetër, një djali. Ai do të kishte mbushur 6 vjeç në korrik. Ishte një tjetër sulm artilerie nga terroristët. Bombardimetsi ky dhe në rajonet e tjera, tregojnë se kemi nevojë për më shumë konsolidim të botës për të ushtruar presion mbi Rusinë, edhe më shumë forcë për ushtarët tanë për të shkatërruar çdo pozicion të terroristëve, madje edhe më shumë mbështetje për njerëzit tanë për të shpëtuar jetë dhe për të kthyer sigurinë në qytetet dhe fshatrat tona”, tha presidenti i Ukrainës, Volodmyr Zelensky.
Rusia dhe Ukraina gjithsesi ranë dakord të mërkurën në mbrëmje të zgjasin afatin e marrëveshjes që lejon dërgesat e grurit nga portet e Ukrainës, të kontrolluar nga Rusia, në Detin e Zi për në tregjet globale për të lehtësuar mungesën e ushqimit në botë.
Marrëveshja tani është e vlefshme deri më 18 korrik.