Zgjedhjet vendore të së dielës shënuan një humbje të thellë për grupimin opozitar “Bashkë Fitojmë” edhe në Bashkinë e Shkodrës. Që nga viti 1991, kur në Shqipëri u vendos pluralizmi politik, kjo është hera e parë që socialistët fitojnë Bashkinë e Shkodrës, bashki kjo e cilësuar nga demokratët si bastioni kryesor i tyre.
Your browser doesn’t support HTML5
Kandidati i Partisë Socialiste, Benet Beci ka arritur të fitojë ndaj rivalit të tij të grupimit opozitar “Bashkë Fitojmë”, kryetarit aktual të bashkisë, Bardh Spahia, me një diferencë të madhe prej gati 12 mijë votash, duke e çuar fitoren e socialistëve në mbi 60 përqind të pjesëmarrjes në zgjedhje.
Sot, kur po numëroheshin kutitë e fundit të fletëve të votimit, kandidati Beci përshëndeti mbështetësit e tij duke njoftuar fitore.
“Fillojmë një punë të jashtëzakonshme për Shkodrën. Ashtu siç kemi thënë, do t’i fillojmë shumë shpejt. Do ta bëjmë Shkodrën qendër të rajonit, për të cilën do të jemi krenar. Kështu që, faleminderit të gjithëve. Vazhdoni punën dhe e mbyllim gjithë këtë proces me qetësi”, deklaroi ai.
Ndërsa kandidati i grupimit opozitar “Bashkë Fitojmë”, Bardh Spahia, i cili është edhe kryetari aktual i Bashkisë së Shkodrës, përmes një mesazhi në facebook, ndonëse nuk kundërshton humbjen, shprehet se “Çdo pushtet i dalë nga bota e krimit dhe paratë e pista nuk jeton gjatë, ndërsa shpirti i lirë i Shkodrës i ka rezistuar edhe kohërave më të errëta”.
Por, ndryshe nga kandidati Spahia, kandidati për bashkinë Vau-Dejës, Zef Hila, i po të njëjtit grupim opozitar “Bashkë Fitojmë”, u bë i pari kandidat i opozitës në Shqipëri që pranoi humbjen, duke vlerësuar procesin e votimit dhe duke uruar për fitoren rivalin e tij socialist, Kristian Shkrelin.
“Normalisht, dikush do të fitojë. Unë të uroj me gjithë shpirt. Fushata ka qenë e qetë, numërimi shkoj shumë, shumë normal dhe normal njëri do të fitojë. Ndaj të shkoftë mbarë”.
Fitorja e socialistëve në Shkodër i kushtohet më së shumti kandidatit Benet Beci, i cili zhvilloi një fushatë teknike, duke paraqitur para zgjedhësve projekte konkrete zhvillimore për Shkodrën, ndërkohë që kryetari i bashkisë, që kandidoi për një mandat të dytë, Bardh Spahia, u përqëndrua kryesisht në një fushatë politike, me akuza për qeverisjen qendrore.